Euro e ka mbyllur këtë javë në rënie të mëtejshme dhe ka zbritur për herë të parë poshtë kufirit të 90 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 89.78 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Brenda një jave, Euroja ka humbur pothuajse një Lek në kursin e këmbimit. Rënia vjetore e kursit Euro-Lek ka arritur në 7.1%, më e larta në tre vitet e fundit.
Burimet nga tregu bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për të blerë Euro, me qëllim frenimin e rënies së kursit, por efekti i kësaj ndërhyrjeje ka qenë i kufizuar.
Sipas informacionit mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, vetëm për gjysmën e parë të vitit 2026 Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 664 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, që u shtohen më shumë se dy miliardë eurove të blera në periudhën 2024-2025.
Agjentët e këmbimit valutor besojnë se rënia e shpejtë e javës së fundit mund të jetë e lidhur me pozicionin në shitje të valutës që kanë marrë disa banka të rëndësishme të sektorit. Arsyeja kryesore besohet të jetë pagesa e kuponit të njërit prej Eurobondeve të qeverisë shqiptare javën e ardhshme. Bankat shqiptare janë ndër blerësit kryesorë të Eurobondeve shtetërore dhe si rrjedhim edhe ndër përfituesit kryesorë të kuponeve të paguara për to.
Ndërkohë që zhvlerësimi i Euros është një fenomen që po zgjat prej më shumë se një dekade, gjatë vitit 2026 kjo rënie është shpejtuar sërish, pas ngadalësimit të vitit të kaluar. Rënia e Euros nisi që në tremujorin e parë të vitit, për t’u shpejtuar gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, në linjë edhe me pritshmëritë sezonale. Ndërkohë, rënia po vazhdon edhe në muajt e fundit të vitit, eduke dëshmuar në thelb një tepricë të ofertës së valutës në tregun e brendshëm.
Banka e Shqipërisë vlerëson se faktori kryesor në forcimin e Lekut është përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.
Ndikim të rëndësishëm në bilancin e përgjithshëm duket ka dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Për të gjithë 6-mujorin 2026, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një Efekt shtesë duket se po ushtron edhe suficiti i lartë fiskal, që po ul ofertën e Lekut në treg. Për 9-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 70.2 miliardë lekëve, në rritje me 54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor
Burimi: BSH
Burimi: BSH


