Thellohet skandali financiar në Postën e Durrësit, që pas hetimeve të Prokurorisë së Durrësit është vendosur nën lupën e SPAK-ut, për dyshimet se janë të përfshirë më shumë se tre persona, të cilët kanë vepruar në formë të posaçme si grup kriminal.
Një burim i tha TCH-së se nga veprimet hetimore ka dyshime që tregojnë se, përveç parave të pensioneve dhe të ndihmës sociale, punonjësit e kësaj poste dyshohen se kanë përvetësuar edhe detyrime të tjera, si tarifat që paguhen nga qytetarët për Kadastrën, tarifat arsimore, detyrimet doganore apo taksa të tjera.
Me katër emra nën hetim nga Durrësi, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Fetah Mataj, të cilët i janë kaluar SPAK-ut, akuza dyshon se skema në formën e grupit është zbatuar në një kohë më të gjatë sesa episodet e identifikuara në fillim, me një vlerë prej 700 mijë eurosh.
Kjo shumë i përket një harku të shkurtër kohor, mes muajve prill-qershor, ndërsa dritëhijet hidhen për kohën nga janari 2025 e në vazhdim. Në këtë periudhë, deri në mars, filiali i Postës së Durrësit drejtohej nga Etleva Budini, e cila ka mandatin e deputetes dhe emri i saj është arsyeja e dytë se përse Durrësi nuk mund të kryejë veprime të mëtejshme.
Veç dyshimeve për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, listës me punonjëset e postës, ku përfshihet edhe pasardhësja e Budinit, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, i është shtuar edhe bashkëshorti i saj, Fetah Mataj. Ky shtetas u zbulua gjatë këqyrjeve të telefonave, ku dolën në dritë biseda në formën e kanosjes për dhënie pasurie ndaj nëpunëseve të postës.
Shkresat tregojnë se çështja u hap më 14 korrik, kur një kallëzim hedh pikëpyetje mbi veprimtarinë e punonjësve, të cilët, nga këqyrjet e kamerave, rezulton se lëvizin pako me para.
Kronologjia hetimore tregon se kallëzimi u krye nga Mataj, e cila pretendoi parregullsi për depozitimin e shumave, ndërsa denoncoi se kjo gjë ishte realizuar përmes ndërhyrjeve në sistem.
Por edhe Mataj u arrestua, pasi ka dyshime se në disa degë, përfshirë Shijakun dhe Krujën, edhe gjatë drejtimit të postës prej saj, vlerat monetare nuk u arkëtuan.
