9 viewKomisionerja për Zgjerim, Marta Kos nën patronatin e së cilës u organizua pritja ku u interpretua kënga nacionaliste serbe kundër Kosovës, ka fajësuar muzikantët.Kos ka thënë se kënga nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian. “Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka thënë Komisionerja për Zgjerim.Marta Kos tutje ka folur edhe për nevojën për pajtim pa harruar të kaluarën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova pret sqarime nga Komisioni Evropian, derisa ka shprehur shqetësimin për interpretimin e një kënge që promovon pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, ka shkruar Haxhiu.Si “provokim të qëllimshëm ose injorancë të pastër”, e ka cilësuar interpretimin e këngës nacionaliste, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.“Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, e cila pretendon sovranitet mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, përbën një gafë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe pa shije.
Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”, ka shkruar Terras. Në Kosovë është parë si skandal që është interpretuar një këngë e tillë në një aktivitet si Forumi për Zgjerim i Bashkimit Evropian.“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme”, ka thënë në reagimin e tij Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj. Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, që promovon pretendimet politike mbi territorin e Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian Kushtuar zgjerimit dhe fqinjësisë së mirë, është parë e papranueshme edhe nga Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.Kënga u interpretua në pritjen për hapjen e punimeve të Forumit për Zgjerim të BE-së, organizuar nga Komisioni Evropian.
