Frikë dhe panik në dhjetëra shkolla në Itali, pas mbërritjes së një emaili anonim që paralajmëronte për vendosjen e bombave. Autoritetet kanë aktivizuar masat e sigurisë, ndërsa nxënësit dhe personeli arsimor në institucionet e prekura janë evakuuar menjëherë. Forcat e rendit kanë nisur kontrollet në ambientet e shkollave për të verifikuar nëse ekziston ndonjë rrezik real.

Sipas mediave italiane, kërcënimet janë raportuar në disa qytete të vendit, ndërsa mes institucioneve të prekura janë edhe tri shkolla në Potenza. Në këto të fundit, të gjithë nxënësit u nxorën nga ambientet me urdhër të drejtorëve përkatës. Një alarm i ngjashëm është raportuar edhe në dy shkolla në Sanremo.

Ky nuk është rasti i parë i këtyre kërcënimeve. Vetëm pak ditë më parë, një email i ngjashëm iu dërgua 280 drejtorëve të shkollave, duke prekur më shumë se 100 institucione arsimore.

Mesazhi përmbante edhe kërcënime të rënda ndaj Italisë: “Kemi ardhur për t’ju shkatërruar. Do të kryejmë gjenocid kundër italianëve”. Sipas të dhënave paraprake, emailet dyshohet se janë shkruar në gjuhën arabe. Autoritetet po hetojnë origjinën e mesazheve dhe personat që mund të fshihen pas tyre, ndërsa kontrollet vijojnë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds