Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e operacioneve të fundit kundër rrjeteve të narkotikëve, duke zbuluar detaje tronditëse për përmasat e kësaj veprimtarie në Shqipëri.

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj paraqet bilancin e luftës kundër kultivimit të kanabisit, ku theksoi se vetëm përgjatë këtij viti, forcat e rendit kanë arritur të parandalojnë kultivimin e plot 132.000 fidanëve kanabis, një shifër kjo shumë herë më e lartë krahasuar me vetëm 17,447 fidanë të asgjësuar një vit më parë.

Kjo rritje masive e zbulueshmërisë ka ardhur përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar, ku janë angazhuar 84 dronë dhe janë kryer 62 fluturime në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n italiane për të monitoruar zonat e thella malore.

Ajo që bie në sy në këtë raportim të z. Hita është goditja ndaj atyre që duhet të ruanin ligjin, por që zgjodhën të mbyllnin sytë. Veç 165 autorëve të drejtpërdrejtë të arrestuar për kultivim, në rrjetën e drejtësisë kanë rënë edhe 89 zyrtarë dhe punonjës shtetërorë.

Mes të proceduarve penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi numërohen kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe roje të shërbimit pyjor, të cilët dyshohet se kanë lejuar kthimin e territoreve të tyre në plantacione droge.

Operacionet nuk janë mjaftuar vetëm në terrenet malore, por kanë goditur ashpër edhe kultivimin e kanabisit me llamba në ambiente të mbyllura, duke regjistruar 17 raste të suksesshme. Sipas informacioneve zyrtare nga strukturat policore, fokusi kryesor tashmë mbetet mbrojtja e brezit të ri.

Në perimetrat e sigurisë së shkollave janë finalizuar 31 operacione që kanë çuar në pranga shpërndarësit e drogave, ndërkohë që institucionet ligjzbatuese premtojnë tolerancë zero dhe aksione pa kompromis për të pastruar mjediset arsimore dhe për të garantuar sigurinë gjatë zgjedhjeve dhe sezonit të ardhshëm turistik.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë konferencës së përbashkët me partnerët e GdF-së, mbi rezultatet e luftës kundër kultivimit të Cannabisit, gjatë vitit 2026

I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo,
I nderuar Shkëlqesi, Ambasador z. Marco Alberti,
I nderuar Gjeneral Brigade z. Giancarlo Franzece, Shef i Repartit III të Operacioneve,
I nderuar Drejtues i Lartë Lorenzo Bucossi, Drejtor i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor në Ministrinë e Punëve të Brendshme,
I nderuar Kolonel Alessandro Bucci, Shef i Qendrës Operative,
I nderuar Profesor Carmine Gambardella, President i Konsorciumit të Universitetit Benecon,

Të nderuar kolegë, përfaqësues të agjencive ligjzbatuese dhe pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj tradite të rëndësishme dhe tashmë të konsoliduar të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë, kolegët dhe miqtë tanë italianë.

Kjo tryezë e përvitshme nuk është thjesht një moment formal raportimi, por një platformë me rëndësi të veçantë strategjike, që mundëson vlerësimin me transparencë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të rezultateve të arritura në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, gjatë vitit 2026.

Sot jemi së bashku për të prezantuar dhe vlerësuar punën e madhe të bërë përgjatë këtij viti, në luftën kundër kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit.

Periudha e gjatë e bashkëpunimit me Policinë italiane dhe, nëpërmjet saj, me Guardia di Finanza, dëshmon konsolidimin e një qëllimi të përbashkët, ndërtimin e shoqërive më të sigurta, me shkolla të pastra dhe me rini larg fenomeneve që cenojnë shëndetin, jetën dhe të ardhmen e saj.

Pavarësisht traditës së krijuar për të organizuar, në përmbyllje të punës së përbashkët, një konferencë ku prezantohen rezultatet dhe arritjet në parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2026, dhe pa dashur të anashkaloj kontributin e askujt, dua të ndalem në disa momente kyçe të kësaj pune të madhe të realizuar bashkërisht.

Lufta kundër paligjshmërive, krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit është pa dyshim, në interes të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe forcimit të sundimit të ligjit. Por lufta kundër kanabisit, kultivimit, prodhimit dhe shitjes së tij merr një kuptim dhe peshë të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me dy faktorë: së pari, me mbrojtjen e nxënësve, që përfaqësojnë të ardhmen e vendit, dhe së dyti, me goditjen e një burimi të rëndësishëm fuqizimi për krimin e organizuar.

Bazuar në këta dy faktorë, angazhimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë dhe vijon të jetë i shtrirë në çdo skaj të vendit dhe shumëdimensional, duke përfshirë sensibilizimin e komuniteteve lokale, kontrollin e vazhdueshëm të territorit, si dhe intensifikimin e punës informative dhe hetimore për identifikimin e grupeve kriminale në fushën e narkotikëve dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të organizatorëve dhe financuesve të tyre.

Gjithashtu, hetimet intensive dhe veprimet operacionale, të koordinuara edhe me institucionet e tjera të ngarkuara me përgjegjësi, janë orientuar drejt vënies përpara përgjegjësisë penale, të punonjësve që kanë neglizhuar detyrat që u ngarkon ligji apo janë përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë këtij viti, kapacitetet policore janë orientuar në dy drejtime me ndikim afatgjatë në sigurinë publike.
Në rritjen e forcës parandaluese kundër kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet intensifikimit të pranisë së punonjësve të Policisë në zonat e thella rurale dhe malore, kontrollit të territorit duke përdorur, krahas kontrollit tokësor, edhe 84 dronë, si dhe ndërmarrjes së veprimeve proaktive dhe përdorimit efektiv të teknologjisë.

Integrimi i këtyre elementeve dhe dhënia e përparësisë forcës parandaluese ka mundësuar goditjen që në fazat fillestare, të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet sekuestrimit të farave të siguruara me qëllim kultivimin, si dhe asgjësimit të fidanëve të kanabisit në kubikë ose të sapombjellë në tokë.

Po përmend vetëm një tregues domethënës të këtij angazhimi parandalues, gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar.
Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale.

Për sa i përket evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në tërësi, është punuar intensivisht, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe në drejtimin e Prokurorisë, dhe si rezultat janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë.

Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar penalisht 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin.

Njëkohësisht, strukturat e Policisë së Shtetit intensifikuan kontrollet për të evidentuar dhe goditur edhe veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, nëpërmjet përdorimit të llambave, veprimtari e cila u godit në 17 raste.

Për të arritur këto rezultate, nuk ishim vetëm. Besimi i ndërsjellë, i ndërtuar ndër vite me kolegët dhe miqtë tanë të GdF-së, si dhe teknologjia e tyre e avancuar, kanë qenë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit në goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Nëpërmjet 62 misioneve të fluturimit, pra 10 misione më shumë se gjatë vitit të kaluar, ky partneritet model bëri të mundur skanimin e një pjese të konsiderueshme të territorit.

Rritja e këtij efikasiteti krahasuar me vitin 2025, si dhe asistenca në 7 raste, me helikopterë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshmojnë kapacitetet aktuale për të kapërcyer vështirësitë e relievit dhe për të kontrolluar zona të thella malore, të cilat më parë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, konsideroheshin nga financuesit, organizatorët dhe kultivuesit e bimëve narkotike, si oaze ku mund të zhvillonin në fshehtësi veprimtarinë e tyre kriminale.

Duke u mbështetur në intensifikimin e angazhimit policor, partneritetin me qytetarët, profesionalizmin e shkëmbyer me homologët e GdF-së dhe teknologjinë bashkëkohore, në vitin 2027 do të përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale.

Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Shkëlqesinë e Tij, ish-ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Policisë së Shtetit, si dhe për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Policisë së Shtetit dhe strukturave homologe italiane. Mbështetja, angazhimi dhe vëmendja e tij ndaj bashkëpunimit në fushën e sigurisë janë një vlerë e shtuar për partneritetin tonë dhe për rezultatet konkrete që kemi arritur së bashku.

Gjithashtu, falënderoj Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Marco Alberti, për kontributin që po jep në forcimin e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve.

Falënderim dhe mirënjohje edhe për kolegët e GdF-së, për seriozitetin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin bazuar në besimin reciprok.

Së dyti, në vijim të goditjes së kultivimit dhe prodhimit të bimëve narkotike, angazhimi ynë është përqendruar dhe do të vijojë të përqendrohet në parandalimin dhe goditjen pa kompromis të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, përfshirë edhe drogat e forta, veçanërisht pranë institucioneve arsimore dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.

Lufta kundër kanabisit nuk përfundon me parandalimin e kultivimit apo asgjësimin e bimëve narkotike. Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit, duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Ky aspekt, gjatë këtij viti, nëpërmjet porosive të mia të vazhdueshme, ka qenë prioritet absolut i punës së Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds