Diskutimet e fundit në komisionet parlamentare kanë zbardhur planin e qeverisë për buxhetin e shtetit dhe Paketën e re Fiskale, duke u ndalur te çështjet më të ndjeshme për qytetarët: çmimet e ushqimeve, pensionet dhe mbështetja për familjet e reja.

Ministri Petrit Malaj nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë theksoi se buxheti i ri, i cili llogaritet në një shifër rekord prej 10 miliardë eurosh, parashikon politika të reja sociale, ndërkohë që synon të ulë borxhin publik në 52.4%.

Një nga pikat më të nxehta të diskutimit ishte mekanizmi i monitorimit të çmimeve pas uljes së planifikuar të TVSH-së. Për të shmangur abuzimet nga tregtarët dhe për të garantuar që kjo ulje të reflektohet direkt në xhepat e qytetarëve, qeveria po shqyrton ngritjen e një bordi transparence permanent për tregjet oligopol, si ai i hidrokarbureve.

Paralelisht, do të fuqizohet roli i Autoritetit të Konkurrencës dhe do të implementohet një sistem teknologjik i quajtur “Price Ëatch”. Ky aplikacion, tha Malaj, pritet të gjurmojë formimin e çmimit nga prodhuesi apo importuesi deri te konsumatori final.

Lajme të rëndësishme vijnë edhe për pensionistët. Objektivi i qeverisë është që përmes një kalendari specifik financimi deri në vitin 2029, pensioni minimal të arrijë në 200 euro, ndërsa ai mesatar në 400 euro. Për këtë skemë, janë planifikuar fonde në rritje: 20 miliardë lekë në vitin 2027, 30 miliardë në 2028 dhe 40 miliardë lekë në vitin 2029.

Krahas kësaj, parashikohet një fond prej 250 milionë eurosh për dyfishimin e bonusit mujor dhe indeksimin e pensioneve, në mënyrë që të rritet fuqia blerëse për moshat e treta.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe politikave të lindshmërisë. Duke filluar nga 1 korriku i vitit 2027, rreth 25,000 fëmijë të moshës 0 deri në 5 vjeç do të përfitojnë pagesa mujore fikse. Skema e re parashikon 5,000 lekë në muaj për fëmijën e parë, 7,000 lekë për të dytin dhe 10,000 lekë për fëmijën e tretë.

Së fundmi, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes as sektori i bujqësisë. Ministri Malaj theksoi se buxheti i ri parashikon fonde të shtuara për fermerët, duke synuar kalimin e financimeve drejtpërdrejt në llogaritë e prodhuesve aktivë për t’u ulur kostot e prodhimit.

Gjithashtu, investimet në infrastrukturën rurale, kullim dhe ujitje do të njohin një rritje nga 1.89 miliardë lekë në 2.35 miliardë lekë për periudhën e ardhshme.

PJESË NGA FJALA E MINISTRIT PETRIT MALAJ NË KOMISIONIN E EKONOMISË

Sipas parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave, borxhi publik për vitin 2027 parashikohet me ulje në raport me atë që parashikojmë të jetë në fund të këtij viti. Ulja do të jetë me 0.1%, nga 52.5% e prodhimit të brendshëm bruto në 52.4% e prodhimit të brendshëm bruto. Kjo ulje edhe sipas parashikimeve vjen drejtpërdrejt vetëm nga rritja ekonomike e parashikuar, e cila parashikohet për vitin 2027 të jetë në masën e 3.9%.

Ndërkohë që përsa i përket uljes së borxhit përgjatë vitit 2026, ndikimin edhe këtu më të madh, pra në 90% të masës, e ka pasur rritja ekonomike e cila deri në fund të këtij viti parashikohet të jetë në masën 4%, ndërkohë që efektet e kursit të këmbimit në borxhin publik kanë një ndikim shumë të vogël që varion nga 7 deri në 10%. Përsa i përket reflektimit të plotë tek çmimet, ulja e TVSH-së nga ana e qeverisë është duke u punuar për të ndërtuar mekanizma të caktuar për mënyrën e monitorimit, në mënyrë që të ketë një reflektim të plotë të uljes së TVSH-së.

Ka disa mekanizma që jemi duke i shqyrtuar. Mekanizmi i parë është monitorimi i tregjeve, të cilat janë tregje mund t’i konsiderojmë oligopol, siç është tregu i hidrokarbureve, ku do të ketë një monitorim të shtuar përsa i përket reflektimit të uljes së taksës së qarkullimit nga 32.4 lekë. Është duke u diskutuar dhe duke u vlerësuar nëse mund të ketë një bord transparence permanent, i cili do të monitorojë në mënyrë permanente çmimet e hidrokarbureve, por siç thashë është ende në vlerësim. Nga ana tjetër kemi dhe institucione të tjera që merren me monitorimin e çmimeve në treg, siç është Autoriteti i Konkurrencës, siç është edhe Inspektorati i Monitorimit të Tregut që normalisht është në mbrojtje të konsumatorit. Paralelisht me këtë po shohim edhe mundësinë e implementimit të teknologjisë së informacionit, duke filluar që me prezantimin e Price Ëatch për të parë se si ndërtohet çmimi nga prodhuesi apo importuesi deri tek konsumatori i fundit, dhe nëse reduktimet në TVSH do të reflektohen te çmimi final. Ju faleminderit.

Pyetje të tjera të ardhura në drejtim të Ministrisë së Financave kemi: 1. Nëse të ardhurat buxhetore të parashikuara në masën 907.8 miliardë lekë, sa prej kësaj rritjeje mbështetet në zgjerimin real të aktivitetit ekonomik dhe sa në përmirësimin e administrimit fiskal dhe të formalizimit të ekonomisë?

Tani për sa i takon të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ato parashikohen në masën 583.5 miliardë lekë, me një rritje prej 46.86 miliardë lekësh, ose 8.7% më shumë krahasuar me të ardhurat e pritshme përgjatë vitit 2026. Ndërsa për sa i përket të ardhurave nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore, ato parashikohen në masën e 210.3 miliardë lekëve, edhe këto me një rritje prej 4.5% krahasuar me vitin 2026.

Sipas metodologjisë së ndjekur nga ana e Ministrisë së Financave, rritja e të ardhurave mbështetet nga disa faktorë. Faktori i parë është efekti i rritjes ekonomike për të gjitha llojet e taksave dhe ky efekt është në masën e 13.3 miliardë lekëve. Kemi efektin nga indeksimi në masën 2.1% për TVSH-në dhe taksën doganore me një efekt prej 5.4 miliardë lekësh. Kemi efektin e zbatimit të masave fiskale buxhetore në masën 1.4 miliardë lekë. Kemi efektet e masave fiskale buxhetore për vitin 2027 në masën rreth 4.4 miliardë lekë. Gjithashtu kemi dhe një nga kontribuesit kryesorë është edhe implementimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave me një efekt prej rreth 10 miliardë lekë, si dhe korrektime që janë bërë nga ana e Ministrisë së Financave në vlerën 12.8 miliardë lekë. Për sa i përket të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, efektet që ka rritja ekonomike është në masën 5.4 miliardë lekë, ndërkohë që efektet e masave fiskale janë rreth 2.3 miliardë lekë. Paralelisht me masat për zgjerimin e bazës tatimore, këtu përfshihen edhe uljet e propozuara të pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë, të cilat natyrisht synojnë që të kontribuojnë më shumë për formalizimin e ekonomisë tonë. Për ta përmbledhur në total, dy janë shtyllat kryesore që kontribuojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2027: një është rritja ekonomike dhe dy është implementimi korrekt i strategjisë afatmesme të të ardhurave, të cilin tashmë kemi filluar ta implementojmë.

Pyetja tjetër lidhet me si garantohet ruajtja e stabilitetit fiskal duke rritur njëkohësisht edhe financimin për politikat sociale, por edhe për investimet publike. Atëherë, projekt-buxheti është hartuar duke mbajtur në konsideratë si ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet mbështetjes së prioriteteve sociale, por edhe zhvillimit ekonomik të vendit dhe natyrisht duke pasur në konsideratë edhe konsolidimin fiskal dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Konkretisht për vitin 2027, defiçiti buxhetor parashikohet në nivelin e 2.3% të prodhimit të brendshëm bruto. Balanca primare nga ana tjetër do të jetë neutrale. Njëkohësisht ne parashikojmë që dhe borxhi publik do të ulet në 52.4%. Këta janë pra treguesit që dëshmojnë se zgjerimi i shpenzimeve buxhetore, pra buxheti 10 miliardë euro, është i programuar në përputhje të plotë me qëndrueshmërinë fiskale.

Një pyetje tjetër lidhet nëse buxheti 2027 parashikon vijimin e rritjes së pensioneve me objektivin e pensionit minimal 200 euro dhe pensionit mesatar 400 euro. Cili është kalendari konkret i realizimit të këtyre objektivave dhe si do të garantohet financimi i qëndrueshëm i tyre?

Në fakt ka një kalendar konkret. Ky është një kalendar që dëshmohet edhe nga projekt-buxheti afatmesëm 2027-2029, ku për vitin 2027 janë planifikuar 20 miliardë lekë për këtë politikë, në 2028-n 30 miliardë lekë dhe në 2029-n 40 miliardë lekë.

Një pyetje tjetër lidhet me si do të ndikojë dyfishimi i bonusit mujor të pensionistëve dhe indeksimi i pensioneve në përmirësimin e fuqisë blerëse të kësaj kategorie. Siç e përmenda dhe gjatë fjalës sime, në total për këto dy politika në buxhet janë parashikuar rreth 250 milionë euro.

Synimi i qeverisë është që pensionistët, veçanërisht ata që marrin pensione më të ulëta, të kenë më shumë mbështetje për të përballuar shpenzimet e tyre të përditshme. Përmes bonusit mujor dhe indeksimit të përvitshëm të pensioneve me bonuse prej 5 mijë lekë apo 10 mijë lekësh, ne synojmë që të lehtësojmë barrën e kostos së jetesës, si dhe t’ju krijojmë pensionistëve më shumë mundësi për të përmbushur nevojat e tyre.

Për sa i përket skemës së re të mbështetjes për fëmijët nga 0 deri në 5 vjeç, edhe për këtë ka pasur një pyetje, me pagesat mujore që variojnë nga 5,000 deri në 10,000 lekë. Pra 5,000 lekë për fëmijën e parë, 7,000 lekë për fëmijën e dytë dhe 10,000 lekë për fëmijën e tretë.

Kjo është një politikë e cila vjen në linjë dhe me kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku në fakt pritet që të përfitojnë rreth 25,000 fëmijë në përgjatë vitit 2027. Kjo si politikë hyn në fuqi nga data 1 korrik e këtij viti, e vitit 2027, në mënyrë që t’i jepet mundësia dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të përgatitur gjithë kuadrin ligjor për ndryshimet përkatëse për sa i përket pagesës së bonusit të bebeve.

Si do të garantohet që mbështetja financiare për fermerët të shkojë drejtpërdrejt te prodhuesit aktivë dhe do të ndikojë në uljen e kostove të prodhimit? Edhe këtu Ministria e Financave përmes buxhetit garanton një mbështetje financiare për sektorin e bujqësisë, me synimin e lehtësimit të kostove të prodhimit, nxitjes së prodhimit vendas dhe rritjes së konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është institucioni përgjegjës për hartimin e zbatimit të skemave dhe të mbështetjes, përcaktimit të kritereve të përfitimit, identifikimit dhe verifikimit të fermerëve përfitues, si dhe monitorimit të përdorimit të fondeve.

Një pyetje tjetër lidhet me se çfarë investimesh parashikohen për ujitjen, kullimin dhe infrastrukturën rurale, veçanërisht në zonat bujqësore me potencial të lartë prodhues. Konkretisht, financimi për këtë program është rritur nga 1.89 miliardë lekë në vitin 2024, në 2.35 miliardë në 2025-n…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds