Pas shpalljes së vendimit të dënimit me burg përjetë për Mark Samson, 24-vjeçarin që vrau studenten shqiptare Ilaria Sula, nëna e saj, ka dhënë një mesazh për mediat italiane.
Mes lotësh e ngashërimash, Gëzime Sula shprehet se djemtë duhet t’i respektojnë e duan vajzat. Më pas, shpreson se dënimi i autorit do ta ketë qetësuar shpirtin e së bijës.
“Duhet t’i respektojnë vajzat. Duhet t’i respektojnë, duhet t’i duan, t’u japin dashuri. Mendoj se vajza ime meriton të jetë në paqe”, thotë ajo.
Ngjarja që tronditi Italinë
Ilaria Sula, 22-vjeçarja me origjinë shqiptare, u vra në mars të vitit 2025 në Romë nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, një ngjarje që shkaktoi tronditje dhe reagime të shumta në Itali.
E lindur në Terni, Ilaria ishte studente në Universitetin La Sapienza të Romës dhe jetonte në lagjen San Lorenzo. Ajo kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me Samson, por ky i fundit, sipas hetimeve, nuk e kishte pranuar ndarjen.
Në fund të marsit 2025, e reja shkoi në banesën e ish-partnerit për t’i kthyer disa sende personale. Ajo qëndroi gjatë natës në apartamentin e tij, në rrugën Via Homs të kryeqytetit italian. Të nesërmen, Samson e sulmoi me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pas krimit, ai e futi trupin e 22-vjeçares në një valixhe dhe e transportoi me makinë drejt një zone malore, rreth 40 kilometra larg Romës, ku e hodhi në një greminë pranë Capranica Prenestina.
Ndërkohë, familjarët e Ilaria Sulës, të shqetësuar për zhdukjen e saj, denoncuan rastin në polici. Për disa ditë, autoritetet italiane zhvilluan kërkime intensive, derisa më 2 prill 2025 trupi i së resë u gjet në vendin ku ishte braktisur.
Gjatë hetimeve u zbulua se Samson kishte tentuar të fshihte gjurmët e krimit. Në këtë përpjekje ishte përfshirë edhe nëna e tij, e cila ndihmoi në pastrimin e banesës pas vrasjes. Ajo u dënua me dy vite burg pas një marrëveshjeje me drejtësinë italiane.
Samson e pranoi autorësinë e vrasjes, por pretendoi se kishte vepruar në një moment zemërimi, pasi kishte parë mesazhe të një djali tjetër në telefonin e Ilarisë.
Megjithatë, prokuroria italiane arriti në përfundimin se krimi ishte i paramenduar. Mes provave të administruara ishin edhe mesazhet që Samson i kishte dërguar një miku, ku kërcënonte se do ta vriste Ilarian nëse ajo nuk kthehej me të.
Më 27 tetor 2026, Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë e dënoi Mark Antony Samson me burgim të përjetshëm, duke pranuar akuzën se vrasja ishte kryer me paramendim.
Vendimi u prit me emocione nga prindërit e viktimës, Flamur dhe Gëzime Sula, të cilët kishin ndjekur nga afër procesin gjyqësor. Babai i Ilarisë deklaroi se drejtësia ishte vendosur, por se dënimin e vërtetë të përjetshëm do ta vuanin ai dhe bashkëshortja e tij, pasi vajza e tyre nuk do të kthehej më.
