Studentët vijojnë protestën në Tiranë. Pas Ekonomikut, të rinjtë kanë nisur marshimin drejt Fakultetit të Drejtësisë, në kuadër të bojkotit të mësimit dhe protestave kundër qeverisë.
Studentët kanë lënë auditorët për t’iu bashkuar protestës, duke u bërë thirrje edhe të rinjve të tjerë që të marrin pjesë në lëvizje.
Bojkotit i janë bashkuar studentë nga disa institucione të arsimit të lartë, përfshirë Fakultetin e Mjekësisë, Ekonomikun, Drejtësinë dhe Universitetin Politeknik. Në protestë janë përfshirë edhe gjimnazistë, ndërsa kërkesat e të rinjve lidhen me përmirësimin e kushteve në arsim dhe largimin e Kryeministrit Edi Rama.
Studentët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj situatës në vend, ndërsa pas përplasjeve të ditëve të fundit, kërkesat e tyre janë shoqëruar edhe me thirrje për dorëheqjen e qeverisë.
