Prokuroria e Tiranës po heton plagosjen në sy të 28-vjeçarit Erion Vishkulli, duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe kërkuar prova nga Italia. Dy prokurorë po hetojnë dhunën gjatë protestave, ndërsa janë hapur 10 dosje penale.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për aktet e dhunës gjatë protestave në Tiranë, duke përfshirë plagosjen në sy të 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili dyshohet se u godit nga një plumb gome i përdorur nga Policia gjatë përplasjeve të 24 tetorit.
Dy prokurorë po hetojnë si dhunën e dyshuar ndaj protestuesve, ashtu edhe sulmet ndaj punonjësve të Policisë, duke administruar pamje filmike, dëshmi dhe kallëzime penale.
Për plagosjen e Vishkullit, hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë pranë Bankës së Shqipërisë, me synimin për të identifikuar efektivin që dyshohet se ka qëlluar me plumb gome.
Në dosje është administruar edhe kartela mjekësore e Spitalit të Traumës, ku i riu mori ndihmën e parë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
28-vjeçari është dërguar ne Itali për trajtim të specializuar, ndërsa sipas raportimeve, sfera e gomës ndodhej ende në syrin e dëmtuar.
Për këtë arsye, Prokuroria ka dërguar një letërporosi, duke kërkuar nga autoritetet spitalore vënien në dispozicion të plumbit të dyshuar të gomës, si provë materiale për hetimin.
Hetimet nuk kufizohen vetëm te ky rast. Sipas burimeve, Prokuroria e Tiranës ka hapur të paktën dhjetë dosje penale për incidentet gjatë protestave, ndërsa janë depozituar dhjetëra kallëzime nga studio avokatie, Partia Demokratike dhe qendra ligjore “Res Publica”. Grupi hetimor po vijon marrjen në pyetje të personave të dëmtuar dhe administrimin e provave për të përcaktuar përgjegjësitë penale për dhunën e ushtruar gjatë tubimeve.
