Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, së bashku me tetë shoqata të biznesit, kanë reaguar pas akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet.

Në një deklaratë të përbashkët, ato theksojnë se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore duhet të respektohet dhe garantohet, ndërsa dënojnë dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe shkatërrimin e pronës.

Përfaqësuesit e biznesit u bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e pronës publike e private.

Në deklaratë kërkohet që veprimet e policisë të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, ndërsa autorët e dhunës të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale.

Shoqatat u bëjnë thirrje gjithashtu organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve.

DEKLARATË PËR SHTYP

E drejta për të protestuar duhet respektuar. Dhuna dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshme.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me shoqatat e biznesit si: Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar/KASH, Manifaktura Shqiptare, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare, shpreh shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, përfshirë sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit.

Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, theksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një vlerë e patjetërsueshme e shoqërisë demokratike. Kjo e drejtë duhet respektuar, garantuar dhe mbrojtur nga institucionet shtetërore. Qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete.

Por asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve. Shkatërrimi i pronës publike dhe private është i papranueshëm dhe duhet të ndalet.

Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike. Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit. Po kështu, dëmtimi i institucioneve dhe i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të përmbushin me vendosmëri detyrimin për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e paprekshmërisë së pronës publike e private. Kërkojmë masa konkrete parandaluese, prani të përshtatshme në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrje në kohë ndaj çdo akti dhune apo shkatërrimi.

Veprimet e policisë duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve, punonjësve të bizneseve dhe vetë efektivëve. Autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës.

U bëjmë thirrje organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen qartë nga çdo akt dhune, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve. Përgjegjësia publike kërkon gjuhë që ul tensionet dhe veprime që parandalojnë përshkallëzimin.

Kërkojmë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për evidentimin e shqetësimeve të biznesit dhe forcimin e masave mbrojtëse.

Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen.

Tirana duhet të jetë një qytet ku qytetarët protestojnë të lirë, institucionet përmbushin detyrën dhe sipërmarrjet ushtrojnë aktivitetin e tyre të sigurta.

Garantimi i këtyre të drejtave njëkohësisht është përgjegjësi e shtetit dhe interes i përbashkët i shoqërisë.

* Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë

* Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar

* Manifaktura Shqiptare

* Shoqata e Ndërtuesve

* Shoqata Shqiptare e Turizmit

* Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ

* Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare

* Shoqata e Bimëve Medicinale

* Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds