Allison Guerriero, ish-e dashura e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, ka ndërruar jetë papritur në banesën e saj në Boynton Beach, Florida.

Guerriero, e cila kishte pasur një lidhje 18-mujore me McGonigal, ishte bërë e njohur për akuzat dhe denoncimet e saj publike ndaj ish-agjentit të FBI-së, i cili aktualisht po vuan një dënim prej 6 vitesh e 6 muajsh burg.

Vetëm disa orë para se të gjendej e vdekur, Guerriero kishte publikuar dhjetëra postime në platformën X, ku kritikonte ashpër FBI-në. Në një prej videove të publikuara prej saj, ajo deklaronte: “E urrej FBI-në.”

Në një tjetër video, ajo foli për rastin e McGonigal dhe kërkoi që vëmendja të përqendrohej edhe te persona të tjerë brenda agjencisë.

“Ja problemi me Charles McGonigal. Ju e dini emrin e tij, por më parë nuk e dinit. Ju njihnit Jim Comey-n, njihnit Chris Wray-n… të gjithë emrat që tashmë i njihni. Pse nuk filloni të kërkoni emrat që nuk i njihni?”, tha ajo.

Sipas të atit të saj, Bill Guerriero, shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar. Familja është në pritje të raportit të autopsisë.

“Ne vërtet nuk e dimë ende. Po presim të kemi akses te raporti i autopsisë. Mund të ketë qenë një aksident. Mund të jetë rrëzuar. Mund të ketë qenë gjithçka”, deklaroi ai.

Policia e Boynton Beach konfirmoi se efektivët mbërritën në apartament rreth orës 20:03 të së enjtes. Autoritetet thanë se “nuk duket të ketë shenja të ndërhyrjes kriminale”, ndërsa hetimi vijon dhe priten të dhënat e mjekësisë ligjore.

Guerriero kishte qenë prej vitesh një prej personave që ngritën dyshime mbi aktivitetet e McGonigal. Ajo pretendonte se gjatë lidhjes së tyre kishte zbuluar elementë që e bënë të dyshonte se ish-agjenti ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Sipas rrëfimeve të saj, në vitin 2017 McGonigal kishte marrë 80 mijë dollarë nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës. Më vonë, Guerriero tha se kishte gjetur një shumë prej 80 mijë dollarësh në apartamentin ku jetonin.

“Mendja ime shkoi te ajo që ne i quajmë ‘flash rolls’, para që do t’ia jepje një informatori ose një agjenti në mbulim për të vazhduar operacionin”, kishte rrëfyer ajo.

Kur e kishte pyetur për paratë, sipas saj, McGonigal i kishte thënë se i kishte fituar duke vënë baste për një ndeshje bejsbolli.

Marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2018, pasi Guerriero mësoi se McGonigal nuk kishte ndërmend të divorcohej nga bashkëshortja e tij.

Pas ndarjes, ajo tha se nisi të kontaktonte persona brenda FBI-së për të shprehur dyshimet e saj.

“Më kishte ardhur në mendje: ky njeri është tradhtar. Ai po merrte ryshfete për të ushtruar ndikim”, kishte deklaruar Guerriero.

Ajo pretendonte gjithashtu se kishte informuar ish-eprorë dhe zyrtarë të tjerë të FBI-së, por sipas saj, paralajmërimet nuk ishin marrë seriozisht.

“Sa herë që përpiqesha t’i flisja FBI-së për këtë, ata nuk donin të dëgjonin. I tregova ish-shefit të tij, u tregova edhe njerëzve të tjerë dhe askush nuk bëri asgjë”, kishte thënë ajo.

Charles McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit të FBI-së në New York, u arrestua në janar 2023 dhe më vonë u dënua me 6 vite e 6 muaj burg për çështje që lidhen me marrjen e parave dhe marrëdhëniet e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Ndërkohë, vdekja e Guerriero mbetet nën hetim. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur një shkak zyrtar dhe policia thotë se nuk ka shenja të dukshme të një akti kriminal.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds