Parandalohet krimi në Divjakë! Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin Orgito Lamka, 22 vjeç, dhe shtetasin Shahin Xhepexhiu, 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta.
Lamka dhe Xhepexhiu, pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre.
Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, Lamka, disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste Xhepexhiun.
Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.
Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve:
– Orgito Lamka, 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje.
– Kevin Sota, 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri.
Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë.
– Serxhio Duda, 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh.
– Santiago Alla 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S.
– Zeni Kule, 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi.
– Shahin Xhepexhiu, 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
