Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka lëshuar një lumë kritikash të ashpra në drejtim të kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe lidershipit të partisë, përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të thirrur për të mërkurën e 15 korrikut. Përmes një reagimi të fortë, Murrizi kërkon transparencë për emrat e kandidatëve për postet drejtuese, ndërsa sulmon ashpër ata që i quan “parazitë politikë” dhe deputetë pa vota.
Murrizi i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Berishës që t’i bëjë publike kandidaturat që sot, duke ironizuar rrethanat që shoqërojnë procesin.
“Nxiri emrat Doktorr para mbledhjes se nuk ti ‘vret’ kush rri pa merak, vetem po i ‘vrau’ LOPA se tren nuk ka më”, shkruan ai, duke kujtuar mbledhjen për Kryesinë ku sipas tij, shumica e Këshillit nuk njihte as 10-15 emra nga 60 të propozuarit. Më tej, ai ka ironizuar premtimet për “rinovim” të partisë bazuar te mosha e re e anëtarëve: “Dhe kte ‘risin’ e moshes mesatare Doktorr që këshilli kombëtar ka 30 apo 35% nën moshën 30 vjeç na e kurse si ‘arritje’ se MOSHA është kriter ‘suksesi’ vetëm në SPORT dhe shtëpitë publike, por kurrë në POLITIKË”, u shpreh ai.
Murrizi ka shpërthyer edhe ndaj deputetëve dhe drejtuesve që hyjnë në lista të mbyllura apo emërohen pa votë në qarqe, duke i akuzuar se kanë dështuar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 majit 2025.
“Çfarë nevoje ka PD për të mbajtur në kupolën e saj njerëz të pa votuar ose njerëz që kanë FRIKË VOTËN si djalli temjanin? Kjo kategori nuk është në opozitë, por në komoditetin e një pushteti hibrid”, deklaron ai.
Sipas tij, Këshilli Kombëtar duhet të diskutojë hapur për situatën e rëndë të PD-së dhe të mbajë qëndrim për protestat, duke kërkuar shkuljen e sistemit zgjedhor të vitit 2008 që sipas tij ka shërbyer si “mocal për të rritur minj politikë”.
“Nëse duam që RIPËRTËRITJA të mos na kthehet në RIPËRTYPJE dhe nga ripërtypja vjen ‘vjellja’ qytetare, PD duhet të shohë realitetin në sy. Koha e këllirave duhet të marrë fund ose ndryshe do fundosemi të gjithë për hatër të një grushti eunukësh”, mbyll reagimin e tij të ashpër Myslim Murrizi.
