Sot festohet 8 dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, dita kur një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, iniciuan ndryshimin e madh historik me anë të protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.  Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Në kuadër të një aktiviteti për 8 Dhjetorin, ish-kryeministri Sali Berisha, në përfundim të aktivitetit përkujtimor “Dhjetori i historisë dhe librave” në selinë e PD, tha se Rilindja e Edi Ramës ishte hakmarrja ndaj demokracisë duke e akuzuar atë se me vendosmëri arriti të vendosë në Shqipëri një narkokraturë, një diktaturë bande. Lideri i opozitës, Sali Berisha, i bëri një thirrje qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti, të rinjve, pikërisht sot në Ditën e Rinisë, ditën kur 33 vjet më parë studentët u ngritën në protesta dhe përmbysën diktaturën, “që të ngrihet në lartësinë e misionit të ri, sepse një mosbindje e dytë civile apo një revolucion i dytë me mosbindje civile është vendimtar sot për fatin e Shqipërisë.”

Ndërkohë sot zhvillon punimet Kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cilësuar nga vetë mazhoranca si të jashtëzakonshëm. Partia Socialiste në njoftimin për mediat në nisje të Kongresit thotë se “Kuvendimi i sotëm, është një bilanc pune, arritjesh domethënëse e hapash të hedhura me sukses, në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, por njëkohësisht edhe një analizë mbi sfidat po kaq domethënëse me të cilat mazhoranca pret të përballet me të njëjtin sukses”.

[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”jPQ2mPkjwEQ”]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *