Në një ceremoni përkujtimore të zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, është vënë në qendër të vëmendjes një nga momentet më të rëndësishme të periudhës së tranzicionit demokratik në vend.

Gjatë aktivitetit, Sali Berisha mbajti një fjalim drejtuar kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, si dhe të pranishmëve të tjerë, ku u theksua roli vendimtar i lëvizjes sindikale në zhvillimet historike të vendit.

Në fjalën e tij, u rikthye vëmendja te greva e përgjithshme e sindikatave, e cilësuar si një nga kthesat më të rëndësishme të asaj periudhe, që sipas tij shënoi një moment “epik” në rrugën drejt lirisë dhe ndryshimeve demokratike.

Gjithashtu, u soll në kujtesë realiteti i Shqipërisë së fillimviteve ’90, i përshkruar si një periudhë e vështirë e izolimit dhe represionit, ku u theksua gjendja e rëndë sociale dhe politike e asaj kohe.

” I dashur zoti Gëzim Kalaja, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të dashur drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarur, të dashur të pranishëm, një përshëndetje kam për të gjithë ju sot, por edhe për miqtë tanë, vëllezërit tanë, nga Kosova, nga Mali i Zi, që janë këtu të pranishëm për të nderuar një ngjarje të madhe në historinë e lirisë së shqiptarëve.

Një ngjarje epike, e cila shënoi për Shqipërinë kthesën e madhe dhe kjo ngjarje ishte pikërisht greva e përgjithshme e sindikatave të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Shqipëria e vitit ’90 ishte vendi më i indoktrinuar në Europë. Ishte vendi më i mjeruar në Europë.

Vendi ku diktatura vazhdonte vriste në kufi të rinjtë, pasi kishte hequr veprën penale të tradhtisë për largim nga Shqipëria, i ekzekutonte për shkelje të rregullores së kufirit.

I ekzekutonte dhe i zvarriste trupat e njomë të tyre qyteteve për të terrorizuar. Më 11 dhjetor, në një plenum, për të shmangur skenarin rumun, siç thotë vetë Ramiz Alia, shpall pranimin e pluralizmit politik.

Po vetëm pak ditë më vonë, tre-katër ditë më vonë, mblidhen këtu tek Teatri i Estradës në një mbledhje sekrete dhe u deklaron zyrtarëve të tij se që nga Lufta e Dytë Botërore e gjerë sot, këta që themeluan PD-në janë armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë. Por, ndonëse në hapat më të para politike, dy vendime kanë qenë etike, them unë, të asaj kohe.

Njëra ishte, në 18 dhjetor, themelimi, apo, po, aty afërsisht, themelimi i partisë, themelimi i gazetës opozitare, Rilindjes Demokratike, dhe themelimi i sindikatave, të cilat, të cilat u shndërruan në mburojë me shpejtësi të rrufeshme, në mburojën më të fuqishme, më të pamposhtur të foshnjës që lindi më 11 dhjetor, pluralizmit politik shqiptar”, u shpreh Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *