Këngëtarja Katy Perry është vendosur në qendër të një hetimi policor, pas akuzave për sulm seksual të ngritura nga aktorja Ruby Rose.
Sipas raportimeve, policia në Melbourne ka nisur hetimet për një incident të dyshuar që pretendohet të ketë ndodhur në vitin 2010, në një klub nate. Një zëdhënës konfirmoi se çështja po trajtohet nga njësia për krimet seksuale dhe hetimi është në vijim.
Akuzat u bënë publike nga Rose përmes rrjeteve sociale, ku ajo pretendon se ngjarja ka ndodhur kur ishte rreth 20 vjeç. Ajo ka deklaruar se ka depozituar një kallëzim zyrtar dhe se i është kërkuar të mos bëjë komente publike gjatë procesit hetimor. Nga ana tjetër, përfaqësues të Katy Perry i kanë mohuar kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar ato si “të rreme dhe të rrezikshme” dhe pa asnjë bazë.
Pretendimet e aktores, e njohur për rolet në serialet Orange Is the New Black dhe “Batwoman”, u publikuan fillimisht si reagim ndaj një postimi në rrjetet sociale lidhur me një koment të Perry-t për performancën e Justin Bieber në festivalin Coachella. Në postimet e saj, Rose ka përshkruar në mënyrë të detajuar incidentin e pretenduar dhe ka shpjeguar se për vite me radhë nuk e kishte trajtuar publikisht si një rast abuzimi, por si një histori të papërshtatshme, për shkak të vështirësisë për ta përballuar.
Ajo shtoi se vendimi për të folur publikisht pas kaq shumë vitesh lidhet me ndikimin e thellë që, sipas saj, trauma të tilla kanë tek viktimat. Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa deri më tani nuk ka një përfundim zyrtar nga autoritetet.
