Një aksident i ka marrë jetën një 70 vjeçari mbrëmjen e djeshme në fshatin Rrapëz. Skënder Maledhi banor i zonës është përplasur nga një taksi që drejtohej nga 52-vjeçari Genci Shahini dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në autostradën Lushnjë- Fier, kur viktima kalonte me biçikletë nga njëra anë e autostradës në anën tjetër dhe është përplasur për vdekje nga automjeti tip Hyundai.
Policia e qarkullimit rrugor ka mbërritur në vendngjarje së bashku dhe ambulancën, e cila ka pritur derisa janë kryer veprimet e ekspertizës për të marrë trupin e pajetë që ta çonte në morgun e spitalit të Lushnjës. Në vendngjarje është thirrur dhe policia e rendit për të qetësuar situatën pasi të afërmit e viktimës kanë qenë shumë të ngarkuar emocionalisht dhe kanë fyer dhe ofenduar drejtuesin e mjetit. Drejtuesi i taksisë që shkaktoi aksidentin u ndalua dhe u dërgua në Komisariatin e Policisë Lushnjë.
Policia po vazhdon hetimet, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur në kushte të errësirës dhe me pamje të kufizuar.
