Dhjetra banorë të fshatit Daullas në bashkinë Fier kanë protestuar ditën e sotme për rrugët e amortizuara , tẽ cilat nuk kanẽ njohur asnjë investim prej dekadash duke u kthyer në shqetësimin më madhor të përditshmërisë së tyre. Gjithashtu edhe makinat pësojnë defekte të vazhdueshme për shkak të gropave dhe terrenit të amortizuar Të indinjuar ata pohojnë se 200 familje jetojnë mes baltës e gropave të mëdha ndonëse janë taksapagues të rregullt.
Banorët thonë se shqetësimet i kanë adresuar disa herë, jo vetëm pranë bashkisë, por edhe tek ish-njësia administrative, madje edhe te kandidatët për deputetë dhe për kryetar bashkie gjatë fushatave elektorale por deri më sot kanë marrë vetëm premtime boshe dhe asnjë zgjidhje konkrete në terren.
Përballë kësaj situate ata apelojnë për investime në zonën e tyre, teksa theksojnë se është e papranueshme që duke qënë vetëm një kilometër larg qytetit të jenë lënë tërësisht në harresën e investimeve.
