Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në një argjendari në Kajseri të Turqisë, ku një 26-vjeçar ka hyrë me forcë në dyqan duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke vjedhur bizhuteri ari.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, i dyshuari përdori një pirun ngritës, që mendohet se ishte i vjedhur, për të hapur me forcë qepenat e dyqanit. Më pas, ai theu xhamat e vitrinave me një levë dhe rrëzoi një dollap me sende me vlerë, duke marrë rreth 150 gramë bizhuteri ari, përfshirë unaza, varëse dhe byzylykë të punuar me ar.
Pamjet filmike tregojnë momentin dramatik të grabitjes, ku i riu shihet duke mbledhur bizhuteritë nga dyshemeja para se të largohet me shpejtësi. Por ajo që e bën ngjarjen edhe më të çuditshme është mënyra e arratisjes: ai u largua nga vendi i ngjarjes duke hipur mbi një gomar.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet M.Ç., u arrestua disa orë pas grabitjes, pasi policia nisi një operacion për kapjen e tij. Sendet e vjedhura u gjetën të fshehura në një qese të zezë plastike dhe të groposura në një parcelë toke.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të pazakontë.
