Media britanike BBC ka bërë një artikull në lidhje me hetimit që po i bëhet ish-kryeministrit të Norvegjisë Thorbjørn Jagland. Në artikull, theksohet se hetimi ndaj Jagland ka nisur për korrupsion, pasi emri i tij ka dal në dosjet Epstein. 

Sipas BBC, një ekip special i prokurorisë norvegjeze po heton dosjet, ndërsa Jagland dyshohet për korrupsion të rëndë. Përkatësisht ndaj tij po hetohet nëse ka marrë dhurata, udhëtime apo hua në lidhje me pozicionin e tij si kryeministër apo si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës.

Në një prej emaileve të Jagland përmendet edhe emri i Shqipërisë. Jagland i shkruan Epstein se ishte në Tiranë dhe se aty ka vajza të jashtëzakonshme.

Artikulli i Plotë:

Policia në Norvegji ka hapur një hetim për korrupsion ndaj ish-kryeministrit të vendit, Thorbjørn Jagland, lidhur me dyshimet për lidhje të tij me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Një njësi speciale e policisë norvegjeze, e cila po analizon dosjet e Epstein, të publikuara së fundmi në SHBA, tha se 75-vjeçari dyshohet për “korrupsion të rënduar”.

Policia njoftoi se i ka kërkuar tashmë Ministrisë së Jashtme të heqë imunitetin e tij, të cilin Jagland e gëzon për shkak të rolit të mëparshëm si diplomat i lartë ndërkombëtar. Jagland ka qenë gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe ka shërbyer për 10 vjet si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Avokati i tij deklaroi se do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin. Pål K. Lønseth, kreu i Økokrim – njësia për krime ekonomike që po heton Jagland – tha: “Ne vlerësojmë se ka baza të arsyeshme për hetim, duke pasur parasysh se ai ka mbajtur postet e kryetarit të Komitetit të Nobelit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës gjatë periudhës që mbulojnë dokumentet e publikuara”.

“Ndër të tjera, Økokrim do të hetojë nëse janë marrë dhurata, udhëtime apo hua në lidhje me pozicionin e tij”.

Policia shtoi se detaje të tjera do të jepen “në një fazë të mëvonshme”. Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se ishte “e rëndësishme që faktet e kësaj çështjeje të dalin në dritë”. Ai shtoi se Oslo do t’i kërkojë Këshillit të Evropës që t’i hiqet imuniteti Jaglandit. Avokati i Jaglandit, Anders Brosveet, e mirëpriti hapjen e hetimit.

“Bazuar në atë që kemi gjetur deri tani, jemi të sigurt për rezultatin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

Veçmas, Brosveet i tha portalit norvegjez VG se ai dhe klienti i tij do t’i dorëzojnë “gjetjet kryesore dhe dokumentacionin që kemi” Økokrim-it sa më shpejt që të jetë praktikisht e mundur. Jagland ka qenë kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996–97 dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në 2019. Ai ka drejtuar gjithashtu Komitetin Norvegjez të Nobelit në periudhën 2009–2015.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *