Në një mbrëmje homazh të mbajtur në Institut Français në Paris, Besiana Kadare përshkroi me emocion jetën dhe veprën e babait të saj, shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, me rastin e 90-vjetorit të lindjes.

Ajo foli për ndikimin e veprës së tij që shkon përtej kufijve kombëtarë, për rolin e Francës si atdhe i dytë i shkrimtarit, dhe për mënyrën se si Kadareja ka ndërtuar një univers të tërë letrar që reziston ndaj frikës, falsitetit dhe totalitarizmit, duke lënë një trashëgimi që jeton përmes lexuesve të tij.

Fjala e plotë:

Të dashur miq,
Largimi i Ismailit ka lënë një boshllëk të pafund.
Për familjen e tij, për lexuesit, për vendin e tij.
Por ky boshllëk nuk është heshtje.
Ai është i banuar.

I banuar nga një mendim që nuk u shua me të. Veprat e mëdha nuk vdesin me autorët e tyre: ato migrojnë tek ata që i lexojnë. Ato hyjnë brenda nesh, rrënjosen ngadalë dhe shndërrojnë mënyrën tonë të të menduarit për botën, lirinë, pushtetin.

Të jemi të mbledhur këtu, në Institutin e Francës, në këtë vend ku mendimi francez mblidhet, përcillet dhe përballet me vetveten, ka për ne një domethënie të veçantë.

\Ta përkujtojmë Ismailin këtu do të thotë, në njëfarë mënyre, ta rikthejmë në shtëpinë e tij. Në zemër të kësaj shtëpie të mendjes që e priti dhe vlerat e thella të së cilës ai i mishëroi me veprën e tij.
Franca është atdheu ynë i dytë.

Ai që na priti në vitin 1990, kur u larguam nga Shqipëria komuniste.
Një vend që i ofroi babait tim jo thjesht një strehë, por diçka edhe më të rrallë: një hapësirë lirie.
Këtu ai mundi të vazhdonte të shkruante pa pengesa dhe u njoh si një shkrimtar madhor i letërsisë evropiane.

Përfitoj nga ky rast të kujtoj me emocion dhe mirënjohje të thellë figurën e Claude Durand, botues i madh dhe mik i dashur i familjes sonë, mbështetja, besnikëria dhe inteligjenca e të cilit luajtën një rol vendimtar.

Të ishe vajza e Ismail Kadaresë do të thoshte të rriteshe mes fjalish të mbetura pezull, dorëshkrimesh të hapura dhe heshtjeve të dendura ku gjithçka thuhej pa u ekspozuar.
Çfarë ishte ai përtej kësaj, e kuptova vetëm më vonë.

Në librat e tij, sigurisht.
Por edhe në vështrimin e atyre që e donin përmes shkrimeve të tij dhe që më ofronin një mundësi që ta shihja ndryshe.

Për një kohë të gjatë kam besuar se babai im më përkiste vetëm mua.
Më vonë kuptova se ai i përkiste gjuhës.
Një populli të tërë.

Dhe tani, kujtesës, por jo asaj që ngurtëson, por asaj që vigjilon, që mbron dhe që përcjell.
Duke marrë frymezim te Shqipëria, Kadareja ndërtoi një univers të tërë që i rindertoi asaj arkitekturën e brendshme.

Vepra e tij përbën një rezistencë këmbëngulëse kundër frikës, kundër falsifikimit të realitetit, kundër përbindëshit totalitar.

Ai iu dha historisë, miteve dhe përçarjeve të shqiptarëve një përmasë që i tejkalon ata.
Iu dha shqiptarëve një bosht mendimi: mundësinë për të njohur veten pa maska dhe për të qëndruar në këmbë, pa iluzione.

Vepra e tij nuk ka kërkuar kurrë rehatinë. Ajo ka zgjedhur kthjelltësinë.
Ai fliste për Shqipërinë, natyrisht, por për të nxjerrë në pah një univers që ishte vetëm i tij: një botë të pushtuar nga mitet dhe legjendat, të populluar nga aedë dhe vajtore, ku udhëtojnë koka të prera dhe kalojnë kometa. Dhe në zemër të kësaj bote shfaqet gjithmonë Përbindshi totalitar — osman, sovjetik, kinez, ç’rëndësi ka — ajo fuqi që pretendon të sundojë deri edhe mbi ëndrrat e nënshtetasve të saj.

Bëhet fjalë për një vepër themeluese, ku historia çlirohet nga kufijtë për t’u bërë universale.
Kur një shkrimtar i madh ndahet nga jeta, universi që ai ka krijuar i shpëton kohës dhe vazhdon të ekzistojë.

Sonte, ne po përjetojme pikerisht këtë gjë.
Në emër të gjithë familjes Kadare — Elena, nëna jonë, Gresa, motra ime e madhe, Doruntina dhe Adriani, fëmijët e saj, Risto, babai i tyre — e falënderoj ngrohtësisht Institutin e Francës për këtë homazh të bukur.

Jemi thellësisht të prekur.
Një falënderim i veçantë për ambasadorin Dritan Tola, për angazhimin e tij personal në organizimin e këtij aktiviteti.

Së fundi, i falënderojmë miqtë tanë që janë këtu, dhe veçanërisht miqtë e Ismailit. Ata që e shoqëruan me besnikërinë, dashurinë dhe praninë e tyre të devotshme.
Ju faleminderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *