Në ditën e pestë të protestës, tregtarët e Tregut të Madh të Vlorës janë mbledhur serish sot kundër zhvendosjes nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre aktual. Ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit, por spostimi i tyre drejt Jalisë së Nartës është shkatërrim, pasi nuk ka asnjë kusht dhe është gati 3 km larg, gjë që sjell mbylljen përfundimtare të aktivitetit të tyre.

Paraditen e sotme, protesta u zhvendos përpara Teatrit “P. Marko” të Vlorës, ku pritej të zhvillohej një event ndërkombëtar, ku pritej që të vinte edhe kryeministri Rama, por ka mbërritur ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali.

Tregtarët zgjodhën këtë moment për të bërë zërin e tyre më të dëgjueshëm, duke protestuar gjatë kalimit të ministres Elisa Spiropali. Gjatë situatës, Spiropali ndaloi dhe u kthye për të komunikuar drejtpërdrejt me protestuesit.

“Bravo që erdhe”, i thonë qytetarët.

Unë do flas tani me kryetaren e bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Edhe bashkia ka një plan të saj të zhvillimit“, u tha ministrja qytetarëve.

Pas këtij komunikimi të shkurtër, Spiropali u largua për të marrë pjesë në eventin ndërkombëtar, ndërsa tregtarët vijuan protestën, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe dialog me autoritetet lokale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *