Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka lëshuar akuza të rënda nga foltorja e Kuvendit në lidhje me menaxhimin e situatës së përmbytjeve në zonën e Fierit, duke denoncuar abuzime dhe manipulime me listat e familjeve të dëmtuara.

Në fjalën e tij, Baçi deklaroi se ekipet e bashkisë, të cilat ai i quajti “të korruptuara” dhe të shoqëruara nga ligjvënës, po abuzojnë dukshëm duke futur në listat e kompensimit persona që nuk janë prekur fare nga përmbytjet.

 Në të njëjtën kohë, po shmangen dhe penalizohen qëllimisht banorët që nuk janë mbështetës të pushtetit.

Si shembull konkret, ai përmendi njësinë administrative Levan në Ferras, ku sipas të dhënave nga banorët janë përmbytur rreth 75 banesa, ndërsa “ekipi i ndershëm” i verifikimit ka regjistruar mbi 110 shtëpi të dëmtuara.

Për këtë arsye, Baçi i bëri thirrje Bashkisë Fier të bëjë publike listën e banorëve të dëmtuar dhe kërkoi ngritjen e një ekipi të përbashkët verifikimi me përfaqësues nga të gjitha forcat politike. Ai gjithashtu i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet mbi këto abuzime.

Baçi kritikoi ashpër qeverinë edhe për vonesat dhe talljen me dëmshpërblimet, duke sjellë në vëmendje një rast ku një fermeri nga përmbytjet e vitit 2021 iu ofrua një shumë prej 20 mijë lekësh të vjetra, të cilën ai e refuzoi. 

Në shënjestër të akuzave të tij ishte edhe ministrja Belinda Balluku e cila pavarësisht problemeve me drejtësinë, ajo “nuk nguroi të bënte shoë në Fier” duke dhënë premtime boshe për një skemë kompensimi, të ngjashme me premtimet mashtruese të kryeministrit në përmbytjet e kaluara.

Deputeti theksoi se fondet e emergjencave civile nuk mbulojnë as 5% të dëmeve, ndërsa shkakun e përmbytjeve e lidhi jo me reshjet, por me keqmenaxhimin e digave të hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës.

Fjala e Luan Baçit ne Kuvend

Është bërë traditë e maxhorancës që buxhetin ta ndryshojë sa herë që ndryshon oreksi I kryeministrit. Akti normative synon rishikimin e buxheteve për disa ministri me qëllim shlyerjen e borxheve.

Reshjet si intensitet kanë qenë më të ulëta se herët e mëparshme por menaxhimi i tyre më problematik se kurrë më parë.

Në Fier dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe më pas ngricat janë të jashtëzakonshme.Janë dëmtuar 150 ha perime, mbi 1250 ha drithëra, 1700 ha foraxhere, 300 mijë pemë frutore. Dëmet janë më të mëdha në banesa e sera.

Kjo përmbytje nuk është nga natyra as plastikat e banorëve në kanale që kërkon të fajësojë kryeministri, por hapja e portave pa paralajmërim dhe vërshimi I ujrave në mënrë të frikshme. Kush mban përgjegjësi.

Një rast në Ferras, njësia vendore Levan, nga përmbytja e vitit 2021, i keni llogaritur 20.000 ALL të vjetra dhe e thirrët t’ia jepni para disa ditësh. Fermeri fisnik jua fali. Domethënë jua hodhi në fytyrë. Kështu që nga përmbytja e disa ditëve më parë, përmbytja e janarit, nisur dhe nga ky rast ekstrem dhe qesharak, do të presim, besoj, dëmshpërblimet nga viti 2030

Tashmë keni ekipet tuaja të korruptuara të bashkisë që kanë dalë në terren, të shoqëruar madje dhe me ligjvënës, ku abuzoni dukshëm dhe turpshëm, duke vendosur në listat e të dëmtuarve dhe banorë që nuk ka, nuk u ka hyrë asnjë pikë uji në shtëpitë e tyre, kur janë të njohur të komisionit, votues tuajt, ose nga ata që duhet të kthehen dhe të votojnë për ju.

Dhe duke u shmangur pa arsye dhe qëllimisht, shmangni ata që nuk ju pëlqejnë, nuk janë mbështetësit tuaj dhe jua thonë në fytyrë që nuk ju duan. Dhe për këtë, ju i penalizoni.

Në Ferras, për shembull, njësia vendore Levan, sipas të dhënave të marra nga banorët, të interesuar janë rreth 75 banesa të përmbytura. Por ekipi ‘i ndershëm’ i juaji, i verifikimeve, ka regjistruar, thonë banorët, mbi 110 apo më shumë shtëpi të përmbytura.

 

I bëj thirrje Bashkisë Fier të bëjë menjëherë publik listën me emra të banorëve të dëmtuar dhe të bëhet verifikimi në terren nga një ekip i përbashkët i anëtarëve të Këshillit Bashkiak nga të gjitha forcat politike dhe jo nga administrata e korruptuar e bashkisë.

Prokuroria duhet të fillojë hetimet dhe të verifikojë dëmet e shkaktuara në fakt dhe kush ka të drejtë të përfitojë, pasi ka të dhëna dhe informacione të sakta nga banorët se po abuzohet në shifra të konsiderueshme në të gjitha zonat, siç e përmenda më lart, duke shënuar dhe regjistruar banorë që nuk kanë asnjë pikë uji të përmbytur, por thjesht janë të dëshiruarit e partisë.


Të sigurta deri tani kemi deklaratat dhe premtimet me lugë bosh si përherë të përfaqësuesve të pushtetit, të pandehurës së drejtësisë, zonjës Balluku, e cila edhe pse në hallin e madh që e ka zënë me drejtësinë, nuk nguroi të vinte dhe të bënte show në Fier me mjetet e propagandës lidhur me çarjen e argjinaturës së lumit Seman.

Zonja mbi të cilën rëndojnë abuzime dhe akuza qindra milionë euro në projektet e infrastrukturës dhe në grabitjen e zgjedhjeve në Fier dhe jo vetëm, premtoi se, po e citoj, do të bëhet një shpërndarje e kompensimit që do të jetë ekuivalent i një skeme e cila po ndërtohet nga Ministria e Financave, nga Ministria e Bujqësisë, si për banorët që janë prekur banesat, ashtu dhe për dëmet që kanë ndodhur nëpër serra apo toka bujqësore.

Të njëjtin premtim mashtrim, sikurse dhe për përmbytjet e tjera, bëri sërish kryeministri, kur u tha banorëve të përmbytur se do të kompensohen për çdo dëm. Por Ministria e Bujqësisë dhe e Financave ende nuk kanë një faturë finale rreth dëmeve, kostove, e jo më të kenë një skemë dëmshpërblimi. Fondet që qeveria ka në dispozicion nëpërmjet emergjencave civile, nuk plotësojnë as 5% të dëmeve të deklaruara deri më tani në bazë të sipërfaqes së përmbytur.

Qeveria nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore sepse asnjëherë pushteti i Ramës nuk mban përgjegjësi për shqiptarët.

Ai kërkon vetëm t’u vjelë taksat dhe pagesat nga njëra anë, dhe nga ana tjetër i përmbyt me mosvënien dorë prej dekadash tek digat, argjinaturat, sistemet e kanalizimit dhe kullimit. Faktet e padiskutueshme dëshmuan se përmbytja, sidomos në Myzeqe, nuk erdhën për shkak të reshjeve, por nga keqmenaxhimi i digave, hidrocentraleve, të Banjës dhe të Moglicës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *