Kisha e Shën Gjergjit në Strum të Bashkisë Roskovec, e shpallur zyrtarisht Monument Kulture në vitin 1970 po shkon drejt shkatërrimit të plotë, duke humbur dita-ditës vlerat e saj të çmuara kulturore dhe historike.
Prej vitesh është folur për restaurim, rindërtim apo rikonstruksion të kishës, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse, duke rrezikuar fshirjen e një pjese të rëndësishme të historisë së zonës. Sipas kryebashkiakes Majlinda Bufi, ky objekt kulti i ndërtuar rreth vitit 1782 është pêrgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, ndërsa ka theksuar se çdo vit bashkia Roskovec e ka vendosur rikonstruksionin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore në listën e prioriteteve, por ende nuk ka njé investim konkret.
Ndërkohë për shkrimtarin studiues Maksim Zarka, kjo bazilikë është një monument kulture e kategorisë së parë e pikturuar nga vëllezërit Çetiri.
Institucionet përgjegjëse, Bashkia Roskovec, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Kulturës duhet të reagojnë sa nuk është vonë, për të shpëtuar një monument që po zhduket para syve të të gjithëve.
