Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për zbatimin e programit “Siguria e të rinjve”, shërbimet e Policisë në bashkëpunim me stafin e shkollave 9- vjeçare të bashkisë Divjakë kanë vijuar takimet sensibilizuese me nxënësit e në prani të përfaqësuesve të shkollës, punonjësit socialë, psikologes, oficerit të sigurisë.
Tek shkolla 9-vjeçare “Çermë Shkumbin “ u zhvilluan orët mësimore për edukimin në shkolla me nxënësit e klasës së pestë dhe të shtatë të kësaj shkolle me temë: Drogërat pararendëse ose të lehta dhe Alkooli, ku u vunë në dukje rreziqet që sjell alkooli për shëndetin, sjelljen dhe sigurinë e tyre, si edhe fuqizimi i tyre me njohuri për të marrë vendime të shëndetshme dhe të përgjegjshme.
Prezantimi i temës u shoqërua me video dhe foto , ku nxënësit kishin mundësinë të shihnin konkretisht pasojat dhe sëmundjet që shkaktojnë drogërat dhe alkoli. Nga nxënësit pati shumë interes ku u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë dhe miqësor me shumë pyetje dhe diskutime rreth temës për të cilën ata morën dhe përgjigjet e duhura si dhe mësuan si të raportojnë kur hasin me persona që janë nën efektin e pijeve alkolike.
