Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama se Radio Televizioni Publik Shqiptar duhet mbyllur.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa shkruan se diskutimi për mbylljen e RTSH-së është hipokrit dhe antieuropian, duke kujtuar se Bashkimi Europian kërkon financim të qëndrueshëm dhe pavarësi editoriale për mediat publike.
Postimi i plotë:
Larg çdo modestie, jam një nga njerëzit që kam zhvilluar betejat më të forta publike dhe institucionale kundër humnerës ku vendimet politike të mazhorancës po e çonin Radio Televizionin Publik Shqiptar. Në një kohë kur RTSH vidhej, kur punonjësit shkarkoheshin dhe kur fondet keqpërdoreshin, mazhoranca i quante këto “reforma”, me qëndrime publike, para syve të publikut dhe institucioneve. Merrni dhe lexoni procesverbalet 2021- maj 2025 të komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik por edhe deklaratat dhe betejat publike dhe do rikujtoni pathosin e mazhorancës për sukseset e RTSH!
Pyetja themelore është kjo: kur dhe pse u krijuan borxhet në RTSH dhe kjo situatë që flet Rama sot?
Borxhet dhe situata problematike lindi pikërisht nga kapja politike e RTSH, nga shkelja flagrante e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa asnjë standard profesional dhe ligjor.
Nëse ka dikush që duhet të kërkojë falje sot, ajo është mazhoranca socialiste dhe vetë Kryeministri, pa urdhrat e të cilit askush në këtë mazhorancë nuk merr as frymë. Ata kapën Këshillin Drejtues me pseudo-opozitë dhe pazare politike në vitet e opozitës së kërpëratave dhe emëruan drejtor pas drejtori njerëz politikë, të paaftë dhe shkatërrimtarë të interesit publik.
Le të kërkojnë falje për emërimet e Thoma Gëllçit, Enkel Jotit, Alfred Pezës. Për secilin prej tyre u shkatërruan mekanizmat ligjorë vetëm që të vendosej “njeriu i duhur” politikisht në krye të RTSH-së. Rezultati ishte borxh, korrupsion dhe degradim institucional.
Fajtore është politika qeveritare që ia dorëzoi këtë institucion çdo hajduti dhe militanti, në vend që t’ia besonte profesionistëve. Dështimin e tyre politik mos ia faturojnë televizionit publik dhe qindra punonjësve që kanë lidhur jetën dhe dinjitetin profesional me këtë institucion.
Diskutimi anti RTSH është thellësisht hipokrit dhe antieuropian. Për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian kërkohet financim i qëndrueshëm i medias publike. Çdo vend anëtar i BE-së ka një media publike funksionale, me disa kanale, me rol kulturor, informues dhe edukues. (Një listë po e bashkëngjit me foto)
Raportet e progresit të Bashkimit Europian kanë kërkuar qartazi që RTSH të ketë:garanci ligjore për pavarësinë editoriale dhe mekanizma që shmangin ndikimin politik në vendimmarrjen redaksionale.
A mund të ndryshohet dhe të reformohet RTSH pa financim?!
Si mund të ofrohet një shërbim dinjitoz publik pa të ardhura të garantuara?! Si mund të dal kryeministri dhe të tremb publikisht çdo biznes që mund të shërbente si sponsor i programeve të RTSH që të tërhiqet se rrezikon që të mbyllet dhe çdo gjë të ngelet pezull?!
RTSH është aset kombëtar, i rregulluar me ligj, pjesë e monitorimit të detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Diskursi i Kryeministrit mund t’u shërbejë oligarkëve mediatikë, duke shuar festivalin kombëtare, orkestrën e RTSH-së, të drejtat televizive për kampionatet sportive, emisionet kulturore, shëndetësore, transmetimin e dedikuar të Kuvendit tě Shqipërisě. Mund t’u shërbejë edhe oligarkëve të ndërtimit, të interesuar për truallin e lakmuar të RTSH-së në zemër të Tiranës, pranë Kryeministrisë.
Por nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë në shërbim të publikut shqiptar, as në përputhje me standardet europiane që kjo mazhorancë pretendon se ndjek.
RTSH ka nevojë për më pak politikë, më shumë ligj dhe më shumë përgjegjësi. RTSH nuk është organ qeveritar që të merret kryeministri, po pasuri kombëtare në varësi të parlamentit. Një institucion që sigurisht duhet të bëjë reforma, duhet të rris llogaridhënien, duhet të rris të ardhurat autonome, duhet të rris audiencën por kurrsesi nuk duhet të mbyllet!
