Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj është arrestuar pas arratisjes së ushtarit të Çopjave Altin Ndoci. 

Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po heton edhe takimet që ka zhvilluar Ndoci në qeli.

 Edmond Gjyzeli dhe Izmir Kusi janë dy emra që po verifikohen nga grupi hetimor pasi rezultojnë se gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar disa takime me Altin Ndocin në paraburgimin e Durrësit.

Të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se këta të fundit janë emra të skeduar nga drejtësia dhe ka dyshime se mund të jenë të përshirë ose të kenë patur dijeni për planin e arratisjes nga paraburgimi.

Megjithatë kjo është deri tani në fazën e hetimeve paraprake, por po punohet për të gjetur prova nëse Gjyzeli dhe Kusi janë të përfshirë apo jo. Ende nuk dihet nëse hetuesit kanë arritur që ti lokalizojnë për ti marrë në pyetje apo jo.

Altin Ndoci u arratis tre ditë më parë nga spitali i Durrësit ku ishte dërguar për të kryer një ekzaminim shëndetësor. Shoqërimi u bë me ambulancën e burgut jashtë standardeve të sigurisë, duart e palidhura me pranga dhe mjaft i lirë ashtu si dhe grupi shoqërues i Policisë së Burgjeve.

Ndoci është arratisur nga kati i 3-të i repartit të Infektivit, pasi ka goditur 2 policët që e shoqëronin. Jashtë traut të spitalit të Durrësit e priste një automjet tip “Audi A7” me të cilin është larguar në drejtim të paditur. Ndoci prej vitit 2020 ndodhej i izoluar në qendrën e paraburgimit të Durrësit i akuzuar për vrasje e vepra të tjera penale.

Ndërkohë në pranga u vunë 8 persona:

 Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
 Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
 Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
 Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
 Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
 Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
 Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
 Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Njoftimi i policisë: 

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga ish-drejtori i IEVP Durrës.

Ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *