Rreth 30 tonë domate janë shkatërruar plotësisht, duke sjellë një bilanc të rëndë dëmesh për fermerin Fatjon Asllani në zonën e Zharrëzës, në Patos. Ngricat e  ditëve të para të vitit 2026 kanë goditur rëndë serat e tij, duke shkatërruar  të gjithë prodhimin.

Prej 16 vitesh i angazhuar në kultivimin e perimeve në sera, Asllani tregon se asnjëherë më parë nuk ka përjetuar një dëm të tillë si pasojë e temperaturave nën zero.

Pas këtij realiteti të hidhur, fermeri është detyruar të shkulë dhe hedhë të gjitha bimët, duke parë të shkojë dëm puna dhe investimi i një viti të tërë që kap vlerën mbi 2 milionë lekë të reja.

Shpresa ime e vetme është dëmshpërblimi thotë ai. Aktualisht, serat janë bosh, ndërsa fermeri pohon se nuk ka më mundësi financiare për të nisur një kulturë të re.

Ngricat e fillimvitit kanë dëmtuar dhjetëra fermerë në zonën e Zharrëzës, por rasti i Fatjon Asllanit konsiderohet më i rëndi, pasi domatja ishte në kulmin e prodhimit dhe në periudhën me çmimin më të mirë në treg, duke e shumëfishuar humbjen ekonomike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *