Uji i lumit Shkumbin sa herë që ka prurje të mëdha për shkak të reshjeve rrezikon seriozisht gërryerjen në disa pika ku rrezikohet gjithë zona e Vilëbashtovës sidomos në afërsi të fshatit në një kthesë që çdo herë që ka reshje lumi gërryen tokën. Po kështu edhe në afërsi të plazhit të Vilëbashtovës, një tjetër pikë ku shtrati i lumit “ha” nga pak aq sa ka arritur 5 metra nga rruga automobilistike. Është nevoja që në afërsi të fshatit Vilëbashtovë të ndërhyhet dhe të bëhen rreth 500 metra argjinaturë.
Sipas banorëve nëse nuk ndërhyhet sa më shpejt nga ana e strukturave përkatëse, lumi rrezikon seriozisht të ndryshojë drejtim dhe të vërshojnë në fshatrat Vilëbashtovë e Spille duke sjellë dëme të konsiderueshme dhe të pakthyeshme.
Dhjetëra hektarë toka janë të përmbytura në zonë për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese ku bashkia Rrogozhinë, pjesë e së cilës janë këto zona duhet të ndërhyjë për të përmirësuar situatën.
