25 ha sipërfaqe toke e kultivuar në serat me luleshtrydhe të fermerëve të Kafaraj, në njësinë administrative Frakull, janë nén ujë nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë. Përmbytjet kanë dëmtuar rreth 60 kultivues të cilet pohojnë se uji në sera ka arritur në nivelin e dy metrave, si asnjëherë më parë teksa theksojnë se luleshtrydhja tashmë është në fazën e prodhimit te saj.

Kjo është situatë e përsëritur thone fermerët e dëmtuar teksa  pohojnë se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë përveçse në përmbytjet e herës së parë në vitin 2015, kur janë dëmshpërblyer me 10% të dëmit që kanë pësuar.

Ata pohojnë të indinjuar se teksa ndodhen në situatë katastrofike , askush nuk ka dalë në terren për të parë nga afër situatën e tyre.

Sipas fermerëve dëmet janë të pallogaritshme në një kohë kur ekonomia e tyre familjare është e bazuar te të ardhurat nga kjo kulturë. Ne po përpiqemi të shpëtojmë bimën thonë fermerët , pasi prodhimi është shkatërruar plotësisht teksa njëzëri apelojnë për ndihmë nga shteti pasi në të kundërt do  të shkojnë drejt falimentimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *