Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i vendosur ta zgjidhë çështjen e Groenlandës, duke u zotuar se do ta marrë Groenlandën në mënyrën të lehtë ose në mënyrën të vështirë.
“Do të doja të arrija një marrëveshje, e dini, në mënyrën e lehtë. Por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë”, tha Trump në një takim në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit e kompanive të naftës.
Presidenti amerikan argumenton se kontrolli i ishullit të pasur me minerale është kritik për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pasur parasysh aktivitetin ushtarak në rritje të Rusisë dhe Kinës në Arktik.
“Nëse nuk e marrim Groenlandën, do të keni Rusinë ose Kinën si fqinjë. Kjo nuk do të ndodhë“, u tha presidenti amerikan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Ministri i Jashtëm i Groenlandës tha më herët të premten (10/1) se qeveria e Groenlandës duhet të marrë iniciativën në bisedimet e planifikuara me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, pasi Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërcënojnë të pushtojnë territorin autonom danez.
“Kur bëhet fjalë për Groenlandën, Groenlanda duhet të jetë ajo që duhet të marrë iniciativën dhe të flasë me Shtetet e Bashkuara”, tha Vivian Motzfeldt, sipas transmetuesit danez DR.
