Reshjet e dendura të shiut vijojnë të shkaktojnë probleme masive në vend. Mësohet se në disa akse rrugore të vendit ka pasur rënie gurësh, inerte dhe prezencë të ujit, për shkak të reshjeve të shiu gjatë natës. Përmes një njoftimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), thotë se ka problematika në disa akse rrugore. Në Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi po kryhet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, në Valare-Erind-Çajup (km 7+600) ka rrëshqitje aktive dhe aksi është i bllokuar. ARRSH njofton se në aksin Korçë-Dardhë (km 9+00), ka pasur shkarje anësore e trupit të rrugës, ndërsa në aksin Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit), pati shkarje masive aktive dhe zgjerim të çarjes rreth 10 cm. Gjithashtu, rrëshqitje dherash ka pasur edhe në Librazhd-Qafë Thanë dhe në aksin Dushaj-Lekbibaj, ka rënë masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi vijon me kujdes. Reshjet e denduara të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive edhe në fshatin Miliskajë të Krujës. Për shkak të përmbytjeve, disa banorë kanë mbetur në qiell të hapur prej 4 ditësh, pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar. Duke folur për mediat, banorët shprehen se nuk mund të largohen, pasi kanë çdo gjë në fshat. Ata shprehen gjithashtu se shteti, komuna dhe bashkia nuk kanë shkuar për t’i ndihmuar. Gjithashtu reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytjen e 266 hektarëve tokë në Bashkinë e Shkodrës. Nga këto, 130 hektarë janë nën ujë në fshatrat Obot dhe Muriqan, 35 hektarë kryesisht në Pentar dhe 101 hektarë në Velipojë. Sipas bashkisë, nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara, megjithëse pësuan rritje, krahasuar me 24 orë më parë. Ndërkohë, Prefektura e qarkut të Durrësit ka publikuar raportin e përditësuar mbi situatën e krijuar nga reshjet e shiut, ku u shkaktuan përmbytje masive. Sipas njoftimit të autoriteteve në Bashkinë Durrës janë evakuuar 848 banorë dhe vazhdon puna për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga uji nëpër banesa. Gjithashtu bëhet me dije se në Sukth 2800 ha tokë ndodhen ende nën “pushtetin e ujit”. Prefektura e Qarkut Durrës njofton gjithashtu se strukturat e Bashkisë dhe ato të strukturave operacionale të emergjencave ndodhen në terren dhe po e ndjekin situatën në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me Shtabin e Emergjencave Civile.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *