Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri me dije se për situatën e krijuar nga reshjet e fundit dhe përmbytjet, qeveria ka vendosur në dispozicion mbi 50 mln euro.

Sipas ministrit, 30 mln euro janë parashikuar për shpenzime kapitale në programin e Emergjencave Civile, prej të cilave 15 mln euro për financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Një fond tjetër i kushtëzuar për emergjencat civile, rreth 10 milionë euro, do të menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet në njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas një metodologjie të bazuar në hartën e riskut.

Ministri Malaj gjithashtu bëri të ditur se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në vlerën rreth 25 mln euro, do të vendoset në dispozicion për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara, ndërsa fondi për digat dhe rezervuarët, 5 mln euro, do të shfrytëzohet për sigurinë e infrastrukturës ujore.

“Nga ana e Ministrisë së Financave, në programin e Emergjencave Civile kemi parashikuar rreth 30 milionë euro të cilat janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve apo projekteve të cilat lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera që kemi alokuar për këtë program është rreth 15 milionë euro.

Nga ana tjetër, kemi planifikuar edhe fondin e kushtëzuar për emergjencat civile që është rreth 10 milionë euro dhe është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas një metodologjie dhe e mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri.

Nga ana tjetër, kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën rreth 25 milionë euro që do të vendoset në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhen nga strukturat përkatëse për sa i përket dëmeve të shkaktuara. Sikundër, kemi edhe fondin për digat dhe rezervuarët, i cili është një fond për shpenzimet kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve që lidhen me sigurimin e digave dhe të rezervuarëve.

Ky fond është rreth 5 milionë euro. Kështu që në total, nëse do të bënim një vlerësim të fondeve që kemi në dispozicion, vlera shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar aktualisht”, nënvizoi ministri Malaj gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *