Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në tryezën e organizuar nga PD me pjesëmarrjen e partive të opozitës, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe intelektualëve, duke e cilësuar këtë takim si një moment përcaktues për të ardhmen e vendit.

Në fjalën e tij, Berisha falënderoi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të një fronti të përbashkët opozitar përballë asaj që ai e quajti situatë kritike në të cilën ndodhet Shqipëria. Sipas tij, bashkimi i forcave është përgjigjja më e duhur dhe përgjegjësia më e madhe ndaj vendit dhe kombit.

Berisha akuzoi qeverinë aktuale dhe kryeministrin Edi Rama për krijimin e një narkoshteti, duke deklaruar se sot Shqipëria vlerësohet si një rrezik për Europën. Ai solli në vëmendje vitin 2015, të cilin e cilësoi si një periudhë të errët, kur sipas tij vendi u mbush me plantacione kanabisi nga Kakavija deri në kufirin me Plavën e Gucinë.

Sipas kreut të PD-së, në atë kohë propaganda qeveritare e paraqiste kultivimin e kanabisit si një alternativë zhvillimi ekonomik, një politikë që, sipas tij, u kundërshtua edhe nga zyrtarë të përgjegjshëm brenda qeverisë së asaj kohe. Berisha theksoi se paratë e drogës janë toksike dhe shkatërruese për ekonominë, demokracinë dhe shtetin ligjor.

Ai deklaroi se asnjë vend tjetër europian nuk e ka provuar, sipas tij, ndikimin shkatërrimtar të parave të drogës si Shqipëria, duke shtuar se sot vendi, ndonëse anëtar i NATO-s, perceptohet si një rrezik për sigurinë europiane.

Berisha përmendi edhe vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për shpalljen e karteleve të drogës si organizata terroriste, duke e cilësuar atë si një akt me rëndësi historike për shkak të fuqisë shkatërrimtare që këto struktura kanë mbi shtetet dhe shoqëritë demokratike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *