Bota e filmit, muzikës dhe televizionit humbi një sërë emrash të njohur këtë vit.
Kaq të ngjeshura ishin njoftimet e trishta, sa ndjesia e krijuar ishte sikur këtë radhë, lajmet e kobshme qenë më të shumta se herë të tjera, dhe rrallimi i plejadës së vjetër të të famshmëve anekënd globit, edhe më i dukshëm se më parë.
E fundit në listë, Brigitte Bardot, ylli i padiskutueshëm i kinemasë franceze në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, simbol i sensualitetit femëror, por edhe i thyerjes së tabuve e cila ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare në Saint Tropez, ku jetonte prej vitesh e tërhequr nga publiku. Presidenti francez Emmanuel Macron e nderoi si “një legjendë të shekullit”. Ajo mishëroi një jetë të lirë, ishte mesazhi i tij në platformën X.
Përpara saj, bota u përball me lajmin e ndarjes nga jeta të një tjetër gruaje të rëndësishme të ekranit të madhe, që arriti të ngrihej në nivelet e legjendës në Hollivud, Diane Keaton, e famshme për rolet e saj ikonike në filma aq të dashur për publikun si Annie Hall, The First Wives Club, apo The Godfather, por edhe për faktin që falë shijeve personale, arriti të cimentonte statusin e vet edhe si një ikonë mode në majat e kësaj industrie. Keaton vdiq në 11 tetor në moshën 79 vjeç, larg shkëlqimit të Hollivudit që pati shënjuar vitet më të rëndësishme të jetës së saj. Në 2025-sën, publiku humbi edhe yllin italian, Claudia Cardinale, e cila la gjurmën e saj në disa prej filmave më të famshëm në historinë e kinemasë si krijimi i pavdekshëm i Sergio Leone-s, Once Upon a Time in the West.
“Djali i artë” i Hollivudit, Robert Redford, u shua dhe ai këtë vit. Redford, trashëgimia e të cilit mbetet e rrënjosur në historinë e kinematografisë, ishte edhe themeluesi i Festivalit të famshëm të Filmit Sundance.
Mbetet i paharruar për brezat interpretimi i tij në filma si Butch Cassidy, Three Days of the Condor apo All the President’s Men.
Michael Madsen nuk jetoi dot më shumë se 67 vjeç; ataku kardiak ia preu jetën në mes aktorit të njohur për bashkëpunimet me Quentin Tarantinon, e sidomos interpretimin brilant në Kill Bill me Uma Thurman.
Legjendari Ozzy Osbourne, vokalisti i Black Sabbath dhe ylli i reality show-t, u shua më 22 korrik. Ai ishte 76 vjeç dhe vetëm disa javë para vdekjes, së bashku me grupin e tij të famshëm të rokut performuan një shfaqje lamtumire para një turme prej 40,000 vetësh në qytetin e tij të lindjes.
Chris Rea, kantautori britanik me ndikim të patjetërsueshëm në muzikën rock dhe blues, ndërroi jetë vetëm 3 ditë përpara Krishtlindjes në moshën 74 vjeçare. Hitet e tij megjithatë, si “Auberge”, “On the Beach” dhe “Road to Hell”, do të vazhdojnë të jehojnë ndër vite.
