Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Presidentit të SHBA-së Donald Trump garanci sigurie për një periudhë deri në 50 vjet, gjatë negociatave të zhvilluara dje në Shtëpinë e Bardhë për një marrëveshje paqeje që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë. Sipas informacioneve të publikuara më herët, plani i paqes i Uashingtonit parashikonte garanci sigurie për 15 vjet, por Zelensky ka theksuar se kjo periudhë nuk është e mjaftueshme. “I thashë Presidentit Trump se do të donim shumë të shqyrtonim mundësinë e garancive të sigurisë për 30, 40 apo edhe 50 vjet. Ky do të ishte një vendim historik nga ana e tij. Presidenti tha se do ta shqyrtonte,” deklaroi Zelensky pas takimit.

Ai shtoi se “lufta do të përfundojë vetëm kur Ukraina të marrë garanci të mjaftueshme sigurie”. Nga ana e tij, Presidenti Trump tha se “një ose dy çështje mbeten të pazgjidhura” në lidhje me garancitë e sigurisë, duke lënë të kuptohet se kohëzgjatja e tyre është një nga pikat kryesore të diskutimit. Zelensky bëri gjithashtu të ditur se Trump i kishte treguar se, përpara takimit të tyre, kishte zhvilluar një bisedë të gjatë me Presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës ishin shqyrtuar të 20 pikat e planit të paqes. “Presidenti Trump më tha se Putini i ka shqyrtuar një nga një të gjitha pikat dhe se është i gatshëm. Është e rëndësishme që të gjithë të jemi në të njëjtën faqe,” tha Zelensky, duke shtuar se nuk dëshironte të hynte në detaje.

Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi se Moska ka bërë edhe më parë deklarata të ngjashme pa i reflektuar ato në veprime konkrete. “Është e rëndësishme që fjalët të përputhen me veprimet,” nënvizoi ai. Zelensky tha gjithashtu se plani i paqes me 20 pika duhet t’i nënshtrohet një referendumi në Ukrainë, duke shtuar se për organizimin e tij do të ishte i nevojshëm një armëpushim prej të paktën 60 ditësh. Trump, në deklaratat e tij, u shpreh optimist duke thënë se “kemi bërë përparim të konsiderueshëm dhe kemi mbuluar mbi 95% të çështjeve. Jemi më afër se kurrë më parë një marrëveshjeje. Nëse gjithçka vazhdon si tani, lufta mund të përfundojë brenda pak javësh.”. Në të njëjtën linjë ishte edhe Zelensky, i cili deklaroi se palët janë “pothuajse në 100% të marrëveshjes”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *