Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një prononcim për mediat u shpreh se në fillim të javës do të kërkohet mbledhja e radhës së Këshillit të Mandateve për çështjen e imunitetet për Zv.kryeministren Belinda Balluku.
Sipas Bardhit, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi, me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, po mundohen t’i blejnë kohë ministres së Infrastrukturës për të intimiduar më tej dëshmitarët dhe prishur provat.
“E ka shndërruar kuvendin në zyrë dhe bunker të Ballukut. Do vazhdojmë të kërkojmë mbledhjen e këshillit sipas rregullores. Ta marrin peng Niko Peleshin nuk e bëjmë dot. Ne kërkojmë që të mos pengohet drejtësia, të lejohet hetim i plotë në rastin ‘Balluku’ dhe të bëjmë çdo gjë që ne kemi në dorë.
Në fillim të javës që vjen do të kërkojmë mbledhjen e radhës. Jemi 24/24 në dispozicion të këtij procesi. Nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin, por për ta luftuar. Ndjej keqardhje që Kryetari i Kuvendit thotë që kur të plotësohen kushtet procedurale të zhvillohet mbledhja”, u shpreh ai.
