Venezuela akuzoi SHBA-në për “pirateri” dhe plaçkitje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pas sekuestrimit të cisternave të saj të naftës. SHBA-ja e justifikoi veprimin duke thënë se shitja e arit të zi financon regjimin e Nicolas Maduros dhe aktivitetet kriminale.
Venezuela ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë që e quan “zhvatja më e madhe në historinë e saj”, gjatë një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Akuza vjen pas sekuestrimit nga SHBA-ja të dy cisternave venezueliane të naftës në brigjet e Detit Karaibe, si dhe ndjekjes së një cisterne të tretë.
Ambasadori i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, e cilësoi veprimin amerikan pirateri, duke deklaruar se Uashingtoni po vepron jashtë së drejtës ndërkombëtare.
“Po flasim për plaçkitje, vjedhje dhe rikolonizim të Venezuelës,” tha Moncada, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë juridiksion në Detin Karaibe dhe se industria e naftës nuk ka lidhje me akuzat për trafik droge.
Nga ana tjetër, SHBA-ja mbron veprimet e saj duke thënë se nuk e njeh presidentin Nicolas Maduro si udhëheqës legjitim të Venezuelës.
Ambasadori amerikan në OKB, Michael Waltz, deklaroi se shitja e naftës venezueliane ndihmon regjimin e Maduros të qëndrojë në pushtet dhe financon aktivitete kriminale dhe trafik narkotikësh.
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar një bllokadë detare ndaj të gjitha cisternave të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela dhe ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të mbajë ose të shesë naftën dhe anijet e sekuestruara.
Në kuadër të këtij operacioni, SHBA ka dislokuar rreth 15 mijë trupa dhe mjete të shumta ushtarake në rajonin e Karaibeve, duke e cilësuar këtë si operacionin më të madh ushtarak në zonë që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989.
