Në Kongresin e Urdhrit Sovran të Kalorësve të Maltës, i zhvilluar më 30 nëntor 2025 në Maltë, sipërmarrësi shqiptar z. Irfan Hysenbelliu u vlerësua me çmim mirënjohjeje për kontributin e tij në projektet humanitare të organizatës.
Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit, Urdhri i Maltës theksoi rolin e z. Hysenbelliu në mbështetjen e iniciativave sociale dhe humanitare, duke nënvizuar angazhimin e tij në nisma me ndikim shoqëror.
Vlerësimi për z. Irfan Hysenbelliu ishte shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tij ndaj nismave sociale dhe humanitare të Urdhrit, në ndihmë të komuniteteve në nevojë.
Në pllakën e mirënjohjes, firmosur nga Mjeshtri i Madh, S.E. Giuseppe Madia, theksohet falënderimi për “pjesëmarrjen aktive në projektet humanitare të Konfederatës Ndërkombëtare Autonome të Priorateve të Mëdha të OSJ Knights of Malta”.
Kongresi i Urdhrit Sovran të Kalorësve të Maltës mblodhi anëtarë dhe përfaqësues nga shumë vende të botës, të cilët diskutuan për programet e reja të Urdhrit, që pritet të nisin vitin e ardhshëm. Në këtë kuadër, kontributet individuale që forcojnë nismat humanitare morën një vëmendje të veçantë.

Kongresi i Urdhrit Sovran të Kalorësve të Maltës përbën një ngjarje të rëndësishme dhe zhvillohet për të diskutuar çështje strategjike, humanitare dhe diplomatike të Urdhrit. Si një institucion me histori shekullore, Urdhri Sovran i Kalorësve të Maltës ka rolin e mbrojtjes së vlerave të tij tradicionale, promovimit të ndihmës humanitare dhe forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kongresi bashkon anëtarët e Urdhrit nga e gjithë bota, duke ofruar një platformë për vendimmarrje, bashkëpunim dhe planifikim të projekteve të ardhshme humanitare dhe shëndetësore.
