Presidenti i Republikës ka thirrur për nesër në orën 10:00 gjyqtarin Asim Vokshi, i cili do të bëjë betimin si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese, duke i dhënë fund procesit të zgjatur të zëvendësimit të Holta Zaçajt, mandati i së cilës kishte mbaruar që në prill.
Vokshi u rendit fitues nga Gjykata e Lartë, por procedura u bllokua për muaj të tërë për shkak të ankesës së kandidates Naureda Llagami, e cila pretendoi se një votë e pavlefshme i përkiste asaj dhe do t’i siguronte vendin në Kushtetuese. Çështja kaloi në Gjykatën Administrative dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, e cila së fundmi rrëzoi kërkesën e Llagamit, duke hapur rrugën për betimin e Vokshit.
Me hyrjen e tij në detyrë, Holta Zaçaj largohet nga Gjykata Kushtetuese, duke lënë vakant edhe pozicionin e kryetares së institucionit. Deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, trupës do t’i drejtohet nënkryetarja Marsida Xhaferllari.
Ndërkohë, Kushtetuesja pritet të ketë edhe një tjetër ndryshim në përbërje. Presidenti ka hapur thirrjen për kandidatët që do të zëvendësojnë Sonila Bejten, proces i cili qëndron i hapur deri më 30 nëntor.
Paralelisht, mbetet i pazgjidhur prej më shumë se një viti vendi vakant i krijuar pas dorëheqjes së Elsa Toskës në shtator 2024. Edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi se mandati i saj përfundon këtë vit dhe duhet të plotësohet, ajo nuk e ka shpallur zyrtarisht vakancën – hap që do t’i jepte Kuvendit kompetencën për të emëruar pasuesin.
