Një ndërprerje e përmasave globale ka goditur sot shërbimet e Cloudflare, kompaninë gjigante të sigurisë dhe infrastrukturës së internetit, duke shkaktuar probleme serioze në platforma si X (ish-Twitter), OpenAI, Canva, PayPal, Uber si dhe në një sërë lojërash online.

Incidenti nisi rreth orës 12:00 me orën e Shqipërisë, kur kompania publikoi njoftimin se po përjetonte një “problem në serverë” që po ndikonte mijëra klientë në të gjithë botën. Përdoruesit e X, ChatGPT përballeshin me probleme.

Edhe faqja zyrtare e statusit të Cloudflare pësoi dështime, duke humbur dizajnin e saj bazë dhe duke lënë të kuptohet se problemi ishte i thellë dhe prekte sistemet qendrore të kompanisë.

Cloudflare është një nga shtyllat kryesore të internetit modern, duke ofruar DNS, firewall, mbrojtje nga sulmet DDoS, CDN dhe sisteme sigurie për miliona faqe në mbarë botën. Ndaj, çdo problem në këtë nivel kthehet automatikisht në një efekt domino për qindra platforma që varen nga shërbimet e saj.

Ndërprerja, e cila preku rrjete sociale, faqe interneti, aplikacione bankare dhe lojëra, tregon sesa i brishtë bëhet interneti kur infrastruktura bazë ka probleme. Analistët nuk përjashtojnë mundësinë e një sulmi masiv, një gabim kritik konfigurimi, ose një komprometim të ndonjë partneri të jashtëm.

Ekspertët këshillojnë përdoruesit të jenë të duruar, pasi problemi nuk lidhet me pajisjet e tyre, ndërsa bizneset që përdorin Cloudflare inkurajohen të verifikojnë log-et dhe të përgatisin opsione alternative, në rast se incidenti përsëritet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *