Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me motin e keq që ka “mbërthyer” vendin. Duke folur në konferencë me gazetarët, Kryedemokrati kritikoi ashpër qeverinë për mos mbështetjen e qytetarëve dhe që janë lënë në mëshirën e natyrës dhe të Zotit vetë.
Berisha njoftoi ndër të tjera se deputetë të PD ndodhen në terren dhe po ndjekin me shqetësim të madh situatën. Lideri i opozitës dënoi me forcën më të madhe këtë qëndrim të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, të cilët po përjetojnë tmerret e përmbytjeve të papritura.
“Qindra dhe qindra familje në rrethet Lezhë, Kurbin, Mat, Dukagjin, Shkodër, janë në mëshirën e fatit. Kanë përjetuar tmerre nga vërshimet e papërmbajtura të lumenjve, ujërave dhe narkoqeveria e tëra është në narkozë. Asnjë ndihmë, asnjë mbështetje. Njerëz të lënë në mëshirën e natyrës dhe të Zotit vetë. Këto shtrëngata u njoftuan nga stacionet meteorologjike më serioze të paktën një javë para. Por në mënyrë absolute, pushteti i drogës dhe krimit në Tiranë dhe degët e tij në rrethe, nuk kanë marrë asnjë masë. Deputetë të PD ndodhen në terren dhe po ndjekin me shqetësim të madh situatën.
Ata përveç solidaritetit nuk kanë mjete të tjera. Ajo që quhet Mbrojtje Civile, ajo është inekzistente. Pra, qytetarët të lënë në mëshirën e fatit. Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, të cilët po përjetojnë tmerret e përmbytjeve të papritura. Natyrisht një qeveri, e ngërthyer nga superskandalet, nuk ka asnjë lloj preokupimi tjetër veçse si të fshehë gjurmët e krimeve që ka kryer, vjedhjeve që ka kryer.” tha Berisha.
