Mëngjesin e sotëm rreth 150 punonjës të Bankers Petroleum kanë pezulluar punën duke lënë pa mbikqyrje 400 puse në vendburimin e Marinzës. Sipas kreut të Sindikatës të Sektorit Hidrokarbur , Dritan Shahu, puna është ndërprerë dhe bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Pavarësisht intimidimit nga përfaqësues të kompanisë , ne do të vijojmë grevën ka thënë anëtari i Këshillit Sindikal Dritan Rrapushi i cili që nga dita e djeshme është bërë pjesë e grevës së urisë. Për shkak të deklaratave mediatike gjatë tubimit të datës 5 shtator, është ngritur një komision disiplinor nga kompania dhe është marrë vendim nga Ceo pęr të vazhduar procedurat për shkëputje nga puna, ka thënë Rrapushi , veprim që është konsideruar diskriminues nga sindikata dhe është kundërshtuar.
Ndërkohë punonjësit më të vjetër të fushës pohojnë se pas dy dekadash punë në këtë kompani përballen me trajtim jo dinjitoz dhe paga diskriminuese. Rajmond Rrapushaj , operator i dytë prej 22 vitesh pohon se nga kompania nuk ka marrë asnjë ndihmë teksa është trajtuar në spital me karbon në gjak , ndërsa Saimir Beraj , inspektor i përgjithshëm i 1540 puseve të vendburimit pohon se në 20 vite punę , punon në kushte të vështira , ku përveç ndotjes së ambientit , rrugët e pakalueshme nga njëri pus në tjetrin , janë vështirësia më e madhe e ditës.
Ndërkohë që punonjësit janë të vendosur në kauzën e tyre, puset kanë mbetur në mëshirë të fatit.
