Dhjetra banorë të fshatit Bashkim në njësinë administrative Levan, janë ngritur në një protestë mëngjesin e kësaj të premteje me pretendimin se po u grabiten tokat nga një kompani private e cila prej 7 vitesh zotëron një plantacion me shegë në territorin e tyre, të miratuar nga Ministria e Bujqësisë. Ata shpehen të indinjuar se përveç tokave djerrë që ata i përdornin për kullota dhe një pjesë të pyllit, tashmë kompania në fjalë po kërkon të zaptojë edhe tokat që fermerët i kanë marrë me vendim gjykate dhe sipas ligjit 7501.
Përballë kësaj situate banorët thonë se nuk janë pyetur asnjëherë dhe madje situata ka degraduar deri në përplasje fizike. Të ndodhur në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve përgjegjëse për sqarimin e situatës në mënyrë që situata të mos shkojë deri në vetëgjygjësi. Po sipas tyre janë më shumë se 150 familje që preken, dhe rreth 60-70 ha tokë është zaptuar padrejtësisht nga viti në vit.
Situata në fjalë është denoncuar edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier nga një përfaqësi e fermerëve.
