Tilly Norwood, një aktore e krijuar nga inteligjenca artificiale, ka shkaktuar polemika të mëdha në Hollywood pasi kompania që e krijoi ka nisur bisedimet me agjenci talentesh për ta futur atë në filma. Sindikata e aktorëve dhe artistë të njohur si Emily Blunt dhe Natasha Lyonne e kanë dënuar ashpër, duke e konsideruar një kërcënim për artin dhe profesionin e tyre.
Aktorja e krijuar nga inteligjenca artificiale, Tilly Norwood, ka shkaktuar reagime të forta në industrinë e filmit, pas raportimeve se është në bisedime me agjenci talentesh dhe mund të angazhohet në projekte të mëdha.
E krijuar nga aktorja dhe komediania holandeze Eline Van der Velden dhe kompania e saj Particle6, Tilly Norwood është një personazh plotësisht digjital, por që në rrjetet sociale paraqitet si një aktore e re dhe e talentuar me “girl next door vibes”.
Ajo poston fotografi, video komedi dhe mesazhe emocionale sikur të ishte një njeri i vërtetë.
“Mund të jem AI, por po ndiej emocione shumë reale tani,” thuhet në një nga postimet në Instagram.
Krijimi i Tilly-t ka shkaktuar indinjatë në radhët e aktorëve profesionistë dhe sindikatës së tyre, SAG-AFTRA, e cila e ka dënuar publikisht përdorimin e saj në industrinë filmike.
“Tilly nuk është një aktore – është një karakter i krijuar nga kompjuteri, i trajnuar mbi performancat e aktorëve të vërtetë. Kjo nuk është art, por një kërcënim për profesionin,” – thuhet në deklaratën e sindikatës.
Aktorë të njohur si Emily Blunt, Natasha Lyonne dhe Whoopi Goldberg janë shprehur hapur kundër përdorimit të “aktorëve” të tillë.
Blunt, në një intervistë me Variety, u shpreh: Kjo është e frikshme. Ju lutem, ndaloni. Po na hiqet lidhja njerëzore nga ekrani.”
Ndërsa Natasha Lyonne ka thirrur për bojkot ndaj çdo agjencie që bashkëpunon me Norwood, duke e quajtur projektin “të çmendur dhe të rrezikshëm”.
Eline Van der Velden, krijuesja e personazhit, ka reaguar përmes Instagramit duke theksuar se Tilly nuk është krijuar për të zëvendësuar aktorët e vërtetë, por si një formë arti.
“Tilly është si të vizatosh një personazh ose të shkruash një rol. Duhet të shihet si një zhanër më vete, jo si konkurrencë për aktorët,” – shkruan Van der Velden.
Polemika vjen vetëm dy vjet pas grevave historike të vitit 2023 në Hollywood, ku përdorimi i AI ishte një ndër temat më të diskutuara. Sindikatat arritën atëherë marrëveshje që mbronin punonjësit nga përdorimi i teknologjisë për të zëvendësuar talentin njerëzor.
