Arrestimi i profesorit italian Michele D’Angelo, i cili po mbahet prej dy muajsh në burgun e Fierit për shkak të një aksidenti të ndodhur më datën 8 gusht në rrugën Levan- Fier sipas mediave italiane mund të kthehet në një çështje ndërkombëtare. 45 vjeçari është Profesor biologjie në Universitetin e Aquila-s, njëherësh dhe një shkencëtar i famshëm global.

Michele D’Angelo dhe partnerja e tij u përfshinë në një aksident me makinë në Shqipëri më 8 gusht 2025. Të nesërmen, italianët u ndaluan nga policia dhe profesori u la në paraburgim, pasi akuzohet për mosdhënie ndihme. 

Sipas dëshmitarëve afër profesorit, ai po ecte me 40 km në orë dhe u gjend përballë një makine tjetër që ecte me shpejtësi dhe nuk mund ta shmangte. Autoritetet shqiptare e kanë akuzuar profesorin italian për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe “braktisje të mjetit”.

Kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta nga deputetët italianë që i janë ankuar Presidentit Bajram Begaj dhe i kanë kërkuar që të ndërhyjë për kthimin e profesorit në Itali, një gjë që e kërkojnë dhe kolegët e tij universitarë.

Gjithashtu edhe Ambasada italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme në Vlorë po ndjekin me vëmendjen më të madhe rastin e Michele D’Angelo. Ansa shkruan se kjo u raportua nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila po mban kontakt të vazhdueshëm me bashkëkombësit e tij italianë, duke kryer vizita në burg dhe duke ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme.

Njoftimi i Policisë – Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit të dhënë lidhur me aksidentin rrugor të ndodhur më datë 08.08.2025, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, ku mbetën të dëmtuar katër shtetas, informojmë se nga veprimet hetimore ka rezultuar se shkaku i aksidentit dyshohet të jetë ndërprerja e rrugës nga automjeti i drejtuar nga shtetasi M. A., i cili më pas është larguar nga vendngjarja.

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. A., 45 vjeç, banues në Itali, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Ndërkohë, bëhet me dije se një nga katër personat e plagosur në aksident ka ndërruar jetë disa ditë më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Sipas avokatëve ligji shqiptar parashikon që në rastet kur një aksident rrugor sjell pasoja të rënda, përfshirë edhe humbjen e jetës së një personi të mitur, drejtuesit e përfshirë në ngjarje mbahen në paraburgim deri në përfundimin e akt-ekspertimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds