Industria mbështetëse automotive ishte nga të paktët sektorë që tërhoqi investime të huaja vitin e fundit, duke shfrytëzuar avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore.
Ky sektor kryesisht punon me sistemin e materialit të porositësit, nëpërmjet montimit të sistemeve elektrike dhe mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që proceset më të thjeshta të zhvendoseshin në vende që kanë ende kosto të lira të fuqisë punëtore.
Kompanitë kryesore në këtë segment janë “Yura Corporation”, “SEWS Cabind Albania”, “Forschner Albania”, “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”.
Pas një rritjeje të shpejtë në 2021 – 2022, në dy vitet e fundit segmenti ka shfaqur shenja të forta ngadalësimi, madje dhe tkurrje, duke qenë larg planeve të zgjerimit, teksa ka filluar dhe reduktimin e numrit të punonjësve.
Të ardhurat e pesë operatorëve kryesorë të këtij segmenti në vitin 2024 ishin 11.9 miliardë lekë, me një tkurrje prej 1.6% me bazë vjetore, përkundrejt rritjes me 72% dhe 20% përkatësisht në vitin 2022 dhe 2023.
Dy problemet kryesore të brendshme të sektorit ishin gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe sidomos zhvlerësimi i Euros, që ul të ardhurat e arkëtuara në valutë.
Faktori i tretë lidhet me kërkesën në tregjet globale dhe konkurrencën e fortë të industrisë automotive nga Kina. Edhe eksportet e këtij segmenti po shfaqin të njëjtën tendencë.
Për herë të parë që nga 2016, kur filluan rritjen e vrullshme, eksportet e makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit shënuan tendencë rënëse, ndonëse të lehtë në vitin 2023. Shitjet e këtij grupi ishin rreth 39 miliardë lekë, me tkurrje prej 1.5% me bazë vjetore.
Tendenca rënëse është përkeqësuar në vitin 2024. Eksportet e makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit kanë rënë me 3.8% me bazë vjetore, duke reflektuar kryesisht zhvlerësimin e Euros.
Ertjan Çabiri, nga “Delmon Albania”, thotë se ngadalësimi i reflektuar te kompanitë që prodhojnë pjesë të thjeshta si kabllo dhe gomina për klientët e mëdhenj në industrinë e automobilave vjen si efekt i zhvillimeve te grupet e mëdha, kryesisht europiane.
“Gjatë vitit 2024, tregu i automobilave ka pasur një rënie të shitjeve në krahasim me shitjet e buxhetuara për shumicën e kompanive të mëdha europiane si ‘Stellantis’, ‘Renault Group’, ‘Volkswagen’ etj.
Kjo ka ndodhur kryesisht prej rënies së kërkesës, por edhe rritjes së ofertës dhe konkurrencës nga makinat elektrike të markave kineze”, tha z. Çabiri.
Eris Jaçaj, nga kompania “Forschner Albania”, thotë se “në tregun global u përballëm me rënie të kërkesës, e theksuar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit 2024, megjithëse pritshmëritë dhe parashikimet ishin për një rritje”.
Planet fillestare të kompanive për zgjerim të aktivitetit dhe rritje të numrit të punonjësve duket se janë përmbysur tërësisht.
P.sh., “Yura Corporation Albania”, më e madhja sipas të ardhurave, planifikonte të punësonte deri në 4 mijë persona, por nuk ka punësuar as gjysmën dhe nuk ka plane për të shtuar personelin.
Numri i të punësuarve, jo vetëm nuk po rritet, por po vjen në ulje. Në vitin 2022, pesë shoqëritë kishin 4615 të punësuar, ndërsa në fund të 2024-s, numri i tyre zbriti në 4386.
Edhe fitimet nuk janë premtuese. “Yura Corporation Albania” vijon të deklarojë humbje, fitimet e “SEWS Cabind Albania” ranë me 25% në 2024-n, fitimi i “PSZ Albania” u përgjysmua.
“Yura Corporation Albania” sh.p.k., më e madhja në këtë segment, ka shënuar rënie të të ardhurave, për herë të parë që pas nisjes së aktivitetit.
Në vitin 2024, kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 5.7 miliardë lekësh, me tkurrje prej 3.7% me bazë vjetore. Në vitin 2023, kompania kishte parë një zgjerim prej 10% dhe në vitin 2022, me 30%.
Megjithatë, numri i punonjësve ka ardhur në rritje, duke arritur në 1915 në fund të vitit 2024, nga 1889 në vitin 2023.
Për dy vjet radhazi (2023-2024) shoqëria ka rezultuar me humbje prej rreth 215-219 milionë lekësh në vit, duke e detyruar atë të rrisë kapitalin në mënyrë që të vazhdojë aktivitetin, si dhe të kërkojë mbështetje nga shoqëritë e vendeve të tjera.
“Në mënyrë që Shoqëria të plotësonte nevojat e saj për likuiditet dhe të vazhdonte pa ndërprerë operacionet, më 5 dhjetor 2024, ortaku i vetëm i shoqërisë vendosi për rritjen e kapitalit të nënshkruar të shoqërisë në shumën 4,500,000 euro (në shumën ekuivalente në lekë 442,485,000).
Përveç kësaj, ‘Yura Sllovakia’ është zotuar, përmes një letre mbështetëse të datës 21 janar 2025, të mbështesë Shoqërinë për të përmbushur detyrimet e saj për të ardhmen e parashikueshme”, thuhet në raportin vjetor.
Pas këtyre ndërhyrjeve, shoqëria vlerëson që “bazuar në pozicionin e likuiditetit të Shoqërisë, në datën e autorizimit të këtyre pasqyrave financiare, dhe në pasigurinë që rrethon zhvillimin e ardhshëm të shpërthimit, menaxhmenti vlerëson se ajo nuk do të ketë nevojë për financim shtesë për të përmbushur detyrimet e saj financiare”.
“Yura Corporation Albania” sh.p.k., mori status si investitor strategjik nga qeveria shqiptare në 2018-n. Në korrik 2019 nisi ndërtimin e fabrikës në Fier.
Në atë kohë, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë investim si bazë për zhvillimin e sektorit të prodhimit teknik dhe elektronik për automobilat.
Në planin fillestar, kompania parashikonte të zgjerohej vazhdimisht, duke arritur 4,000 të punësuar në total nëpërmjet ngritjes edhe të dy fabrikave të tjera në Elbasan dhe Librazhd.
Planet duket se janë lënë në pritje, teksa në raportin e 2024, kompania specifikon se nuk ka në plan të rriste numrin e punonjësve më shumë se 2 mijë persona.
“SEWS Cabind Albania”, pjesë e grupit “SEWS Cabind S.p.A”, me seli qendrore në Collegno, Torino, Itali, hyri në Shqipëri në vitin 2019.
Pas rritjes së shpejtë në vitin 2023, kur shënoi një zgjerim prej 40%, aktiviteti është ngadalësuar në 2024-n.
Të ardhurat e shoqërisë ishin 4.1 miliardë lekë, me një rënie prej gati 1% me bazë vjetore, teksa po punon me rreth gjysmën e kapacitetit.
Siç thuhet në raportin e aktivitetit, “gjatë vitit 2024, Shoqëria ka operuar me kapacitet prodhimi prej 53% dhe ka ruajtur një nivel të qëndrueshëm shitjesh kundrejt klientëve të saj kryesorë”.
Numri i punonjësve ka rënë në 1224, nga 1303 në fund të vitit 2023. Shoqëria ka ndërtuar disa fabrika prodhimi dhe ka vazhduar me procesin e instalimit të makinerive për linjat e reja të prodhimit.
Ndërkohë Shoqëria është ende në proces për rekrutimin e stafit dhe trajnimin e tyre për operacionet e prodhimit për të mbuluar kapacitetin e synuar të operacioneve prodhuese.
Në kuadër të financimit të investimeve të saj në Shqipëri, Shoqëria ka nënshkruar një linjë kredie me shoqërinë mëmë “SEWS Cabind S.p.A”, me një vlerë maksimale deri në 10 milionë euro me kohëzgjatje 1 vit dhe me normë interesi prej 4,5%.
Për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2024, Shoqëria ka përdorur 8.8 milionë euro nga kjo linjë kredie.
“Forschner Albania” është themeluar në vitin 2015. Aktiviteti kryesor i Shoqërisë përfshin prodhimin e sistemeve kabllore, prodhimin e sistemeve elektromekanike, përfshirë edhe aktivitete të tjera të lidhura me sistemet e prodhimit të sistemeve elektromekanike.
Të ardhurat e kompanisë u rritën me 11.9% në vitin 2024, duke arritur në 1.38 miliardë lekë, pas një zgjerimi me 30% vitin e mëparshëm.
Ndonëse të ardhurat janë rritur, numri i punonjësve ka rënë për të dytin vit radhazi, nga 1010 në vitin 2022, në 865 në vitin 2023 dhe 813 në 2024-n.
“Kostoja e prodhimit u menaxhua më mirë, ndërsa u investuan mbi 65 milionë lekë në makineri dhe pajisje të reja”, thuhet në raportin vjetor.
Kompania thotë se ecuria e të ardhurave lidhet me çmimet e larta të transportit dhe materialeve të importuara; Ndryshimet në kërkesat e industrisë automobilistike; Luhatjet e kursit të këmbimit, ku në 2024-n, një euro u këmbye mesatarisht me 98.15 lekë.
Shoqëria planifikon zgjerimin e linjave të prodhimit në Domje, integrimin e teknologjive ERP për logjistikë, si dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit teknik për përmirësim të cilësisë dhe eficiencës.
“PSZ Albania”, shoqëri në fushën e fasonerisë për montimin, riparimin, bashkimin e kabllove dhe paketave elektronike me kapital gjerman, ndonëse është nga të parat që është hapur në këtë segment, nuk është treguar agresive në zgjerim, përkundrazi po shënon tkurrje të aktivitetit për të dytin vit radhazi.
Kompania raportoi të ardhura prej rreth 355 milionë lekësh, me tkurrje prej 14% me bazë vjetore, pas rënies me 22% vitin e mëparshëm. Edhe personeli po shkurtohet.
Sipas të dhënave nga raporti i aktivitetit, shoqëria ka pasur të punësuar 284 persona në vitin 2024, nga 373 persona në vitin 2023, 449 persona në fund të vitit 2022 dhe 465 persona në fund të vitit 2021. “PSZ Albania GmbH” zhvillon veprimtarinë e saj në fushën e fasonerisë për montimin, riparimin, bashkimin e kabllove dhe paketave elektronike.
“Delmon Group Albania”, pjesë e grupit francez me të njëjtin emër, e krijuar në 2017-n, me aktivitet në prodhimin dhe përpunimin e materialeve të gomës dhe plastikës në pjesët e prodhuara dhe aplikimet industriale të lidhura me to (fasoneri), ka raportuar të ardhura prej 355 milionë lekësh në 2024-n, me tkurrje prej 9.5% me bazë vjetore./MONITOR
