Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë historike që u mbajt mëngjesin e 25 shtatorit në një nga shkollat publike në New York për fillimin e “Programit Kalimtar Dygjuhësh për Shqiptarët”, në shqip dhe anglisht e që po aplikohet për herë të parë në një klasë në moshën e kopshtit parashkollore e cila do të rritet vit pas viti.
Ky program është një urë midis brezash, kulturash dhe kombesh, shkruan presidenti Begaj në rrjetet e tij sociale.
Duke i krijuar fëmijëve shqiptarë në New York mundësinë për të mësuar në gjuhën shqipe, u kemi dhënë atyre krenari për rrënjët dhe trashëgiminë e tyre të vyer, tha ai.
“Programi Kalimtar Dygjuhësh për Shqiptarët”, në shqip dhe anglisht, do t’u shërbejë fëmijëve shqiptaro-amerikanë në Bronx. I financuar nga Departamenti i Edukimit në Qytetin e New Yorkut, programi lehtëson inkuadrimin e nxënësve shqiptarë që ende nuk dinë anglisht apo të nxënësve të rritur në SHBA që duan të mësojnë edhe shqip duke ua ofruar mësimin, në të gjitha lëndët, në të dy gjuhët, në shqip dhe anglisht.
Ky program është fryt i një pune shumëvjeçare të drejtuar kryesisht nga udhëheqësi i komunitetit Mark Gjonaj dhe veprimtarja, mësuesja, dhe Anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), Drita Gjongecaj, raporton illyria.com.
Shkolla PS/MS 108 në Bronx është streha e këtij programi që po fillon me një klasë në moshën e kopshtit parashkollor dhe do të rritet vit pas viti duke pasur nga një klasë për fëmijët shqiptarë në çdo nivel shkollimi.
Përveç Presidentit Bajram Begaj, që ndodhet në SHBA për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në këtë ceremonë mori pjesë edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Në hyrje të sallës së madhe ku u mbajt ceremonia, Presidenti Begaj dhe Ministrja Gërvalla firmosën sipas traditës stendat me fotografitë e tyre që u uronin mirëseardhjen.
Salla ishte zbukuruar me tullumbace që kishin ngjyrat e flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe plot simbole të tjera kombëtare, flamuj amerikanë, shqiptarë e të Kosovës.
