Lokalizohet në Malin e Tomorrit, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.

Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin Dorian Beu, 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *