Aksidente rrugore, dhunë në familje dhe posedim droge, janë disa nga ngjarjet kriminale të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në Lushnjë dhe Fier. Policia ka arrestuar disa shtetas, ndërsa për të tjerë ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit të policisë:
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-J. Sh., 28 vjeç, banues në fshatin Grabian, pasi dje, ka shkuar në spital, për të marrë mjekim, dhe ka deklaruar se ka rënë nga tarraca e shtëpisë, por nga veprimet hetimore dyshohet se është dëmtuar pasi ndërkohë që drejtonte automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka rënë në kanal.
-G. Ç., 41 vjeç, banues në Fier, pasi është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-S. N., 45 vjeç, banues në Ndërnënas, pasi dje, në fshatin Ndërnënas, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka hubur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me një mur. Nga aksidenti është dëmtuar pasagjerja, shtetasja A. Z., 42 vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve;
Gjithashtu Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. C., 57 vjeç, banues në fshatin Gramsh, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.
Ndërsa Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. Z., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasen A. D., 20 vjeçe, banuese në Fier, pasi është konstatuar jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-P. T., 42 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij;
-K. P., 76 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka prishur murin rrethues të pronës së një shtetaseje 48 vjeçe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. Sh., 68 vjeç, banues në fshatin Hekal, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
